Sport

Derbi Tirana-Partizani nuk ka fitues, portieri Qirko i pret penallti bardhebluve në kohën shtesë

Gazeta Si – Derbi i dytë i sezonit mes Tiranës dhe Partizanit nuk nxorri fitues, por u mbyll në barazim pa gola, ashtu siç ndodhi edhe në ndeshjen e parë.

Portieri Pano Qirko ishte heroi i Partizanit, pasi priti një penallti në minutën e 98-të, pas gjuajtjes së Prengajt, duke shmangur humbjen e të kuqve.

Ishte një përballje me shumë raste për shënim, në të dyja portat, por asnjëra nga skuadrat nuk ia doli të shënojë dot.

Në fakt Tirana e gjeti golin në minutën e 29-të, por u anulua për pozicion jashtë loje. Në krahun tjetër, Partizani ishte pa fat në fillim të pjesës së dytë, kur gjuajtja e Bintsouka u ndal nga shtylla.

Fundi i sfidës ishte dramatik, aty ku pas një aksioni për Tiranën nga e majta e sulmit, krosimi u ndal në dorën e Bytyçit brenda zonës. Kryesori Florjan Lata vijoi lojën, ndërsa te Tirana pati protesta dhe kartona për këtë fakt.

Pas disa minutave konsultave me VAR, arbitri e pa vetë rastin dhe akordoi penallti. Nga 11 metra distancë sulmuesi Prengaj gaboi te Tirana dhe Pano Qirko bëri heroin nga ana tjetër duke pritur penalltinë në minutën 90+7.

Në fund 0-0 dhe skuadrat ndajnë nga një pikë. Partizani vijon të jetë në krye të renditjes me 28 pikë, ndërsa Tirana me 16 pikë pozicionohet e shtata.

Për Tiranën plot dy vite pa fitore në derbi, me Partizanin që për ndeshjen e nëntë radhazi nuk humbet kundër bardhebluve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë