Seria A nuk është më ajo e dikurshmja, megjithatë janë disa ndeshje që marrin vëmendje maksimale për shkak të rivalitetit historik. I tillë është derbi Milan-Inter, që luhet sot në mbrëmje dhe që do të ndiqet nga një numër i madh shikuesish në gjithë botën. Janë dy ekipe më shumë tifozë, në përpjekje për t’u kthyer në kohët e arta dhe për të rivalizuar me Juventusin.
Si vijnë Milani dhe Interi në derbi? Më mirë është skuadra e Antonio Kontes, me 3 fitore në javët e para të kampionatit. Megjithatë, ajo goditje në Champions dhe zënka mes Brozoviçit dhe Lukakut sikur e ka prishur disi atmosferën. Konte ka rikuperuar në momentet e fundit Kandrevën, i cili do ta nisë nga stoli. Në sulm do të jetë dyshja Lautaro-Lukaku, mbrojtja me treshen Skriniar-De Vrij-Godin, ndërsa mesfusha me 5 lojtarë përbëhet nga D’Ambrozio, Barela, Sensi, Brozoviç dhe Asamoah.

Trajneri Xhampaolo ka pasur dyshime deri në momentet e fundit për mesfushën dhe sulmin. Ai ka vendosur që titullar të jetë Lukas Bilia para algjerianit Benaser. Në mesfushë ka vend edhe për Çalhanoglu dhe Kesi. Në sulm preferohet Paketa në të majtë në vend të kroatit Rebiç, i ardhur te kuqezinjtë në fund të merkatos. Suso dhe Piatek plotësojnë repartin e avancuar, ndërsa para Donarumës luajnë Konti dhe Rikardo Rodrigues në krahë dhe Romanjoli dhe Muzakio në qendër.
Interi mban vendin e parë me 9 pikë pas 3 javësh kampionat, kurse Milani ka 6 pikë dhe është në vend të 7-të. Kjo ndeshje tregon shumë për vazhdimësinë e të dyja skuadrave, pasi i hap rrugën një minikrize.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




