Lajme

Deputeti Ylli Shehu rezulton i dënuar: Një sulm i LSI-së

Ylli Shehu, deputeti i ri i ardhur nga listat e LSI-së, i cili u betua në Kuvend më 4 mars, ka fshehur në formularin e dekriminalizimit depozituar në KQZ, një dënim për kontrabandë, falsifikimit të dokumenteve dhe të falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve. Vendimi për dënimin e tij mban datën 18 nëntor 2008, dhe është dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë.

Bëhet fjalë për një dënim, ku ai duhet të paguante 600 mijë lekë të rinj, për të tre vepra penale. Në vendim thuhet se Shehu kishte futur në Shqipëri në muajt tetor-nëntor 2003, një automjet BMW X5, pa paguar detyrimin e saktë doganor dhe kishte dashur ta targonte duke paraqitur në Degën e Doganës Korçë dokumente të rreme zhdoganimi. Gjykata vlerësoi se nëpërmjet këtij veprimi, Ylli Shehu kishte mundur të shmangej nga detyrimi doganor në shumën 1.110.109 lekë, duke paguar vetëm 154.421 lekë.

Ai rezulton i dënuar për kontrabandë mallrash edhe nga Gjykata e Tiranës në vitin 2007. Dënimin nga Gjykata e Tiranës ai e ka pasqyruar në formularin e tij, por të Korçës, jo dhe mund t’i kushtojë mandatin e deputetit. Shehu është verifikuar njëherë nga prokuroria në mandatin e parë si deputet, 2013-2017.

Pas zbulimit të dënimit nga gjykata e Korçës, të cilin ai nuk e ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit për efekt të ligjit të dekriminalizimit ka ardhur edhe reagimi i deputetit.

Në një postim në rrjetin e tij social “Facebook”, Shehu e ka cilësuar atë si sulm nga LSI-ja, ndërsa shton se është gati të bashkëpunojë me Prokurorinë.

“Nuk kam asnjë dyshim që prej ditës kur vendosa të marr mandatin e deputetit, do të kthehesha në shënjestër të sulmit të partisë për të cilën unë bëra fushatë në vitin 2017. Por dua t’ua bëj të qartë që unë kam qenë në Parlament në vitin 2015 kur e kam votuar Ligjin për Dekriminalizimin dhe e di fare mirë kush janë detyrimet e mia si subjekt deklarues dhe se dekriminalizimi ka në thelb dënimet me burg, jo gjobat. Çdo kush e kupton se po të kisha deklaruar një gjobë administrative, nuk rrezikoja asgjë, pasi dënimi nuk hyn në kategorinë e veprave që përbëjnë kushte për të mos u zgjedhur. Pra, logjikshëm, unë nuk mund të kem fshehur me qëllim një gjë që nuk më dëmtonte. Madje shikoni formularin dhe aty gjendet një dënim me gjobë edhe pse nuk ka qenë detyrim”, shkruan Shehu.

Më tej ai shton se, “për të gjithë ata që fërkojnë duart nga kjo situatë, kujtoj se gjobitja është bërë në vitin 2008, dhe në vitin 2015-2017 kur kam qenë deputet, unë i jam nënshtruar verifikimit në bazë të ligjit të dekriminalizimit, dhe kam rezultuar i pastër. Edhe nëse ky rast do të përbëjë arsye për një rikontroll, shpreh gatishmërinë time për të bashkëpunuar me çdo institucion ligjzbatues para të cilëve asgjë s’kam për të fshehur. I gjithë ky sulm bëhet për të dekurajuar kolegët dhe koleget e tjera që janë në proces të marrjes së mandatit. Unë jam shumë i qetë dhe i përgjegjshëm për detyrën që kam”.

https://www.facebook.com/yllishehu24/posts/10214051904077907

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë