Lajme

Deputeti Rraja: Jam kushëri i tretë me Redjanin. Drejtësia të vendosë

Deputeti i Partisë Socialiste, Rrahman Rraja tha se kishte lidhje të largët fisnore me 34-vjeçarin Redjan Rraja, i arrestuar nga policia si i dyshuar në tentativën e vrasjes së prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja.

“Babai im, Rexhepi me gjyshin e Redjanit janë vëllezër vetëm prej babe. I bie më shumë sesa brezi i tretë. Më shumë se brezi i tretë”, deklaroi ai në një intervistë telefonike dhënë për News24.

Deputeti socialist dënoi sulmin. Ai kërkoi nga drejtësia që të ndëshkojë autorët, ndërsa tha se takimin e fundit me Redjan Rrajën e kishte zhvilluar 3-4 muaj më parë. I pyetur nëse Redjani është angazhuar në fushatë elektorale për të, Rrahman Rraja nuk e mohoi. “Si të gjithë qytetarët e tjerë që ishin me mua”, tha ai.

Rrahman Rraja nuk mohoi as miqësinë e Redjan Rrajas me djalin e tij, Rexhepin, emri i të cilit u bë publik pas akuzave të Xhisiela Malokut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë