Deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale pas vendimit për përjashtimin e tij nga Kryesia e PD, pasi nuk dorëzoi mandatin e deputetit.
Murrizi thotë se mandatin e deputetit nuk e përdor për privilegje personale, por në funksion të zgjedhësve për zgjidhjen e halleve dhe problemeve të tyre.
“Unë kam qenë deputet në vitet kur këta që janë sot si “Lidera” në PD, kanë qenë gjysma refugjatë e gjysma të larguar si qen të pshurrur nga frika (1997-2001). Nuk do habitesha fare nga vendimi i kryesisë se PDSH për të me shpallur armik, sepse më shumë sesa gjysma e tyre, ka qenë armik i baballarëve të tyre qysh në dhjetor 90”, – thotë ndër të tjera Murrizi.
Ai e konsideron vendimin e tij mjaft të vështirë, por argumenton se përballë kësaj mazhorance arrogante dhe antipopullore mandati i tij i deputetit është thjeshtë një copë letër e pavlerë.
“Braktisja” e tij bie ndesh me bindjen time Euro-Atlantike. Unë e dua vendin tim pro AMERIKËS dhe Evropës po ashtu edhe Parinë Demokratike që u krijua si parti pro perëndimit. Bie ndesh me atë për të cilën jame ngritur në dhjetor te vitit 1990 kundra partisë së punës, si parti anti amerikane e anti europiane, pro ruse e pro serbe, – vijon ai. – Unë jam i dëshmuar si një antikomunist i vendosur qysh në Dhjetor të 90-tës , si një kundërshtar i baballarëve dhe bijve të tyre në qeverisjen e sotme”.
Përveç se pohon se është një pro-amerikan, Murrizi e shikon djegien e mandatit si “zbatim i një porosie të fundit për zbatimin e strategjisë së shkatërrimit të PD që u lind nga lëvizja studentore e vitit 1990. Jam koshient që vendimi im do të paragjykohet nga shumë njerëz me dhe pa të drejtë siç jam i sigurtë në ndërgjegjen time që s’kam asnjë faj për situatën dramatike që po kalon vendi dhe sistemi i kalbur i prodhuar nga klasa politike e kltyre 28 viteve tranzicion”.
Deputeti i Lushnjës flet edhe për humbjen në zgjedhje të PD-së në 2013-ën, duke fshikulluar përgjegjësit e atij dështimi politik.
“Unë nuk kam asnjë përgjegjësi për 1 milion shuplakat që morën kundra në vitin 2013, këta që sot bëjnë sikur janë të virgjër. Më vjen shumë neveri kur dëgjoj që flasin kundra blerjes së votës, ata që futen në sistem blerjen e saj. Sot shoh që është plotësuar e gjithë “polifoto” e atyre që u rrëzuan me votë në qershor 2013, perveç Dashamir Shehut. Nuk do habitesha fare nga vendimi i kryesisë së PDSH për të me shpallur armik, sepse për më shumë sesa gjysmën e tyre, kam qenë armik i baballarëve të tyre qysh në dhjetor 90”.
Murrizi nënvizon se ata që votuan kundër përjashtimit të tij në PD, deri dje kanë qenë kundër Bashës dhe asnjë nuk u përjashtua.
“Në 28 ditë fushatë në qershor 2017, gati gjysma e kryesisë së sotme të PDSH që lehin pas shpine për mua, kanë qenë kundër publikisht dhe jo që nuk u përjashtuan, por u “graduan”. Një pjesë jo e vogël e tyre nënshkruan që të nxirnin prej bythe jashtë PD Bashën, dhe e shanë me libër shpie, e sot ngrenë dorën si manikinë me bateri për të marrë vendime kundra “armikut”. I ftoj në mënyrë individuale apo tufe siç janë të debatojmë ballë për ballë e t’ia themi në sy njëri-tjetrit mëkatet, ku të duan dhe kur të duan. Spiunët e sigurimit që kur ju thoja të plotësojnë formularin, nxiheshin si byth kusie, nuk mund të lehin dot përballe meje”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




