Lajme

PD vezë kundër Ramës në Kuvend

Parlamenti u mblodh në seancën e parafundit për vitin 2018, ku pritej të diskutohej dekreti i Presidentit Ilir Meta për buxhetin e vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, në seancën e sotme kanë shkuar dhe deputetët e opozitës, të cilët kanë munguar prej rreth 6 muajsh. Që në nisje të saj deputeti i Partisë Demokratike, Endri Hasa goditi me vezë kryeministrin Edi Rama gjatë fjalës së tij në Kuvend. “Këtë e ke për studentët”, i tha ai. Seanca u ndërpre dhe kryeparlamentari Ruçi e përjashtoi deputetin e PD.

Pas disa minutave pushim, seanca rinisi sërish, por deputeti i PD-së, Endri Hasa, nuk ka pranuar të lërë Kuvendin, çka ka detyruar Ruçin të ndërpresë sërish seancën.
Por edhe pas kësaj, deputeti Hasa nuk ka lëvizur nga salla, ndaj Ruçi ka ndërprerë për të tretën herë seancën dhe ka njoftuar mbledhjen e Byrosë për të vendosur për deputetin e PD-së.

Pas iniciativës së deputetit të PD-së, Endri Hasa për ta qëlluar me vezë në foltoren e Kuvendit, ka reaguar menjëherë kryeministri Rama.
Në “Twitter”, kreu i qeverisë shkruan se të kthyer pas një kohe të gjatë në Kuvend, opozitarët e paskan vrarë kohën koteceve, duke dhunuar pula e vjedhur vezë.
“Të kthyer pas një qëndrimi të gjatë rrugëve,opozitarët tanë jo vetëm duket e paskan të vështirë të përshtaten me rregullat e sjelljes jorrugore,po si duket e paskan vrarë kohën koteceve duke dhunuar pula e vjedhur vezë, kur kaluan në ilegalitet nga frika e mllefit të studentëve. U djeg xhani për studentët, por seancën e kërkuar për ta e kthyen në një konflikt rrugësh, duke bllokuar me dhunë debatin që kërkuan vetë. Ky është modeli i tyre për rininë, prandaj s’është çudi kur hasim të rinj, që sharjet i dinë për trimëri dhe refuzimin e Dialogut për forcë”, shkruan Rama në “Twitter”.

Basha: Gjysma juaj duhet të jetë ne burg

Më herët, kryedemokrati Basha ka folur me tone të larta dhe ka kërkuar në seancën e sotme të mos futej në rend dite drafti i njëanshëm i shumicës për Reformën Zgjedhore.
“Jeni të poshtër si dreqi, por bëni budallain si gomari.
Çfarë? E dini fare mirë, ka një komision. Si mund ta sjellësh pa kaluar nga komisioni këtu? Çfarë po bëni ju? Shou po bëni? E keni marrë mesazhin dje nga faktori ndërkombëtar.
Jeni hileqarë, të poshtër! Do bëni ju reformë zgjedhore, ju nuk doni vettingun politik. Del këtu shoku i trafikantit që do bëjë pallate të Unaza e re, na flet për reformë zgjedhore!
Tufë hajdutësh, banditësh, gjysma juaj duhet të jetë në burg. Duke filluar me ty që zgërdhihesh aty (i drejtohet Ramës)”, shprehet Basha në foltoren e Kuvendit.
Kryedemokrati Basha thekson se sot kanë ardhur në Kuvend vetëm për buxhetin e studentëve.
“Kemi ardhur vetëm për atë buxhet të studentëve këtu, jo se kemi ndonjë dyshim se çfarë do të ndodhë, por t’u provojmë atyre të tjerëve që mund të kenë ndonjë fije besimi se mund të ndodhë diçka. Të dëgjojnë sesi po të ndalojë vjedhjen ky hajduti psiqik këtu mbrapa, mund të ketë para për tarifat e studentëve. Lëri gomarllëqet e tjera se s’kemi ardhur të tallemi me ju. Tufë horrash dhe banditësh”, vijon më tej Basha.

Ndërkohë jashtë godinës, janë studentët që po protestojnë për të 16-ën ditë me radhë. Të rinjtë vijojnë të kërkojnë plotësimin e 8 pikave dhe theksojnë që do të vijojnë protestën edhe pas pushimeve të fundvitit.

Përveç studentëve në protestë shihen dhe shumë qytetarë. Duket një rrëmujë dhe përçarje mes tyre pasi ka studentë dhe militantë të partive. Kjo ka bërë që një pjesë e studentëve te ikin para korpusit.
Protesta para Kuvendit vijon ndërsa kryeministri Edi Rama ka nisur dialogun me studentë dhe pedagogë. Ditën e djeshme hasi në kundërshti të mëdha në Vlorë nga ana e studentëve, ndërkohë menjëherë ka bërë publik edhe “Paktin për Universitetin” dhe të miratonte “Kartën e Studentit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë