Depozitat bankare në euro vitin e kaluar shënuan rritjen më të lartë në të paktën gjashtë vitet e fundit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë depozitat bankare në këtë monedhë në fund të 2021-shit arritën vlerën e 5.4 miliardë eurove, në rritje prej 17.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjatë vitit kalendarik 2021, vlera e tyre është zgjeruar me 814 milionë euro. Depozitat në valutë të huaj dominojnë strukturën e kursimeve të shqiptarëve në banka, me më shumë se 51% të totalit.
Shifrat tregojnë se depozitat në euro janë rritur ndjeshëm si në segmentin e individëve, ashtu edhe në atë të bizneseve. Depozitat në euro të individëve në fund të vitit të kaluar arritën shumën e 4.06 miliardë eurove, me një rritje vjetore prej 15.7%. Individët vazhdojnë të jenë dominues në strukturën e depozitave në euro, me 75% të totalit të tyre.
Rritja ishte edhe më e lartë në segmentin e biznesit, ku depozitat kaluan pragun e 1 miliardë eurove, në rritje me 30.5% krahasuar me fundin e vitit 2020.
Struktura e depozitave në euro sipas maturitetit po dominohet gjithnjë e më shumë nga llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat.
Pesha e tyre në fund të vitit të kaluar arriti në 61% të totalit, nga më pak se 57% që kishte qenë një vit më parë.
Deficiti i llogarisë korente për 9-mujorin 2021 pësoi rënie me 29% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Lehtësimi i kufizimeve dhe hapja e ekonomisë ndikoi pozitivisht në bilancin e të ardhurave nga shërbimet edhe turizmi, ndërsa remitancat vijuan rritjen. Një kontribut të lehtë në rritje dha edhe llogaria financiare, me investimet e huaja direkte, që u rritën me 1.1%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.