Nëpërmjet një deklarate për mediat, Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me postimet e fundit të ish-kryeministrit Sali Berisha, në fokus të të cilave përmes denoncimeve të “qytetarit dixhital” ka qenë vetë ajo.
“Policia e Shtetit konstaton me keqardhje se shtetasi Sali Berisha ka prodhuar dhe postuar në rrjete sociale në vazhdimësi shpifje të panumërta ndaj kësaj organizate ligj zbatuese. E gjendur nën presionin e pandërprerë të një lumi shpifjesh nga ana e këtij shtetasi, Policia e Shtetit bën me dije se do të reagojë me kallzime penale, duke kërkuar zbardhjen shpejt dhe deri në fund të këtyre shpifjeve, nga Prokuroria”, thuhet në deklaratën e policisë.
Më tej, Policia e Shtetit vlerëson se “publikimet e këtij lloji tentojnë të ndërtojnë një fushatë të mirëfilltë linçimi publik, që ka qëllim të denigrojnë, delegjitimojnë, dekurajojnë dhe pengojnë punën e trupës së Policisë së Shtetit në shërbim të Kushtetutës, ligjit e qytetarëve”.
“Policia e Shtetit do ta adresojë në rrugë ligjore këtë tentativë të papranueshme dhe do të mirëpresë hetimet që do të provojnë bazën e çdo akuze nga ana e z.Berisha. Kjo është e rëndësishme jo vetëm në respekt të opinionit publik, por dhe për vetë Policinë e Shtetit”, përfundon njoftimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



