Politike

Denoncimet e Berishës për zgjedhjet: Punonjësit e shtetit iu mblodhën kartat qytetarëve

Nga Gazeta ‘Si’-Kreu i PD, Berisha ka vijuar me denoncimet e atyre që ai i quan shkelje gjatë procesit zgjedhor të 11 majit.

Me anë të një video tjetër, Berisha publikoi denoncimet e disa qytetarëve në Shkodër, të cilët shprehen se punonjësi i postës iu mblodhi kartat dhe nuk i la të votonte duke i kërcënuar me pensionin.

“Këtu është dëshmia tronditëse se si narkobanditi, punonjësi i shtetit, shkon dhe mbledh kartat e identitetit të qytetarëve, me pretekstin se do i disbursojë pensionin dhe kartat ua mban, duke ditur bindjet e tyre politike, që ata të mos votojnë.

Pra ky bandit, punonjës i shtetit, narkobandit, ky me urdhër të Edi Ramës shkelmon të drejtën kushtetuese themelore të qytetarëve.

Unë dua të përshëndes këtë çift të moshuar, por njerëz kurajozë, që e denoncuan haptas këtë akt të përsëritur me mijëra e mijëra raste.

Ju, është bërë tashmë e njohur, se një nga detyrat kryesore të punonjësve, është mbledhja e kartave të identitetit, gjer në 20 të tilla, në mënyrë që narkoqeveria të blejë të drejtën e votës ose t’i përdorë ato me emra të tjerë. Kjo është histori tjetër”, tha Berisha.

Ai sulmoi sërish drejtësinë, kësaj radhe pas zgjatjes së hetimeve për aleatin e tij politik, Ilir Meta. Gjithashtu Berisha e konsideron mbajtjen në paraburgim të Metës si shkelje flagrante të ligjeve dhe të konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Meta u burgos në mënyrë brutale pa asnjë urdhër arresti, me urdhër të Ramës. Meta u mbajt dhe mbahet në burg si person nën hetim pa asnjë provë, fakt penal. Ndaj tij edhe pasi dorëzoi dosjen, Altin Troplini kërkoi shtytje 6 muaj të hetimeve”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë