Drejtësia

Dënohet me 8 vjet e 8 muaj burg ish-truproja e Tahirit, Hekuran Marku

Gazeta Si - Hekuran Marku, ish-truproja i ish-ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri, është dënuar me 8 vite e 8 muaj burg për trafik ndërkombëtar droge.

Prokuroria kërkoi 12 vite heqje lirie për Markun, ndërsa Gjykata rriti me një vit dënimin, në 13, por ai përfitoi zbritje të dënimit me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, duke u dënuar përfundimisht me 8 vite e 8 muaj.

Ai akuzohet për trafik narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ndaj Markut nisën hetimet si pjesë e një grupi kriminal, bashkë me ish-truprojën tjetër të Tahirit, Agustin Dedën, për të cilin ende zvarriten procedurat e ekstradimit.

Ky i fundit ndodhet në Francë, pasi ka kërkuar azil politik dhe autoritetet atje janë duke shqyrtuar kërkesën e tij.

Më 1 prill, Marku u ekstradua nga Gjermania, për t’u përballur me GJKKO me akuzat e ngritura nga SPAK.

Marku e Deda akuzohen se janë përfshirë në trafikun e drogës të zbuluar në kuadër të hetimeve nga operacioni i koduar "Shpirti".

Ata akuzohen si të përfshirë në ‘skemën’ e trafikut ndërkombëtar të kanabisit të drejtuar nga Ilirjan Duçellari.

Sipas SPAK, 2 truprojat kanë bashkëpunuar edhe me 4 italianë dhe një shqiptar për të trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë.

Kjo sasi droge u sekuestrua më pas në Bari ku u vendosën në pranga 2 persona. Në dosje thuhet se Marku dhe Deda kishin kultivuar drogën në disa parcela në Tepelenë dhe ishin kujdesur për transportin e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë