Gjykata për Krimet e Rënda ka dënuar me 35 vite burg, 67-vjeçarin Namik Velaj. I moshuari në janar të vitit 2017, pas një konflikti me bashkëshorten Vreke Velaj, e vrau këtë të fundit në banesën e tyre në Patos, duke e keqtrajtuar, thyer krahun dhe mbytur.
Sipas prokurorisë, Velaj ka vrarë bashkëshorten e tij në banesë, duke i bllokuar rrugët e frymëmarrjes, ndërsa krimi është zbuluar një vit pas ngjarjes tragjike.
Gjithashtu, fajtor u deklarua mjeku Ilir Tanku, me akuzën për “shpërdorim detyre”. Ai u dënua me 2 vite burg, por gjykata pezulloi dënimin dhe do të shlyhet me 4 vite shërbim prove.
Mjeku në fjalë ka bashkëpunuar me 67-vjeçarin për të zhdukur provat ngjarjes. Ai ka përcaktuar se shkak i vdekjes së të moshuarës ka qenë hipertensioni, duke e trajtuar si vdekje natyrale.
Për Namik Velajn, Prokuroria për Krime të Rënda kishte kërkuar burgim të përjetshëm, ndërsa për mjekun Ilir Tanku, u kërkua 3 vite burg dhe 2 vjet heqje të së drejtës për të ushtruar profesionin e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




