Drejtësia

Dënimi me burg i Salianjit / Shorti zgjedh prokuroren që do ekzekutojë vendimin e Apelit. Nga njoftimi, vetëdorëzimi dhe …

Gazeta Si - Prokurorja Elona Alvora është caktur me short për të ekzekutuar vendimin për dënimin me 1 vit burg për Ervin Salianjin me akuzën e kallëzimit të rremë për çështjen "Babalja".

Në momentin që prokurorja ekzekuton vendimin, ajo do t'i dërgojë shkresën policisë për arrestimin, por njofton njëkohësisht edhe vetë Salianjin, i cili brenda 7 ditësh duhet të vetëdorëzohet tha avokati i tij Ledio Braho.

Nëse Salianji nuk përmbush këtë detyrim ligjor, atëherë është policia e Tiranës ajo që ekzekuton vendimin e prokurores.

Prej 2021-shit, Salianji mban mandatin si deputet, çka i jep edhe imunitet, por ligji parashikon që mandati mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Të enjten, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm la në fuqi vendimin e 18 dhjetorit 2019 të Gjykatës së Tiranës, e cila shpallte fajtor Salianjin për "kallëzim të rremë" lidhur me audio-përgjimin e dosjes Babale dhe e kishte dënuar me 1 vit burg.

Vetë Salianji e konsideroi vendimin si politik e njëkohësisht dekoratë në karrierën e tij. Vendimin që i heq jo vetëm lirinë, por edhe mandatin e deputetit, Salianji tha se do të kryente dënimin dhe se nuk do ta ndalonte së bëri opozitë as në qeli.

Vendimi ka ngjallur reagime të shumta tek opozita. Partia Demokratike mbrëmjen e djeshme mblodhi kryesinë për vijimin e aksionit opozitar pas dënimit të Salianjit.

Në takimin ku ishte i pranishëm edhe vetë Salianji, kryetari i selisë blu, Sali Berisha, i cili ndodhet në "arrest shtëpie", e cilësoi vendimin “një luftë të hapur dhe hakmarrje primitive që Rama i ka shpallur PD-së”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë