Lajme

Denaj me biznesin italian: Politika fiskale lehtësuese për investitorët e huaj

Ministrja e Financave, Anila Denaj ka marrë pjesë në në Asamblenë e Përgjithshme të Confindustria Albania, shoqata e industrialistëve italianë në Shqipëri.  Ministrja Denaj gjatë fjalës së saj vlerësoi se prezatimi i Guidës së Biznesit 2020 nga Confindustria Albania tregon se mundësitë për të zhvilluar më tepër biznes në Shqipëri janë të mëdha, ashtu sikurse është i madh edhe potenciali ekonomik i vendit tonë.

Sa i përket marrëdhënieve ekonomike mes Shqipërisë dhe Italisë, Ministrja Denaj vlerësoi se ato kanë qenë gjithmonë në nivele shumë të mira, ku për vitin 2019 Italia është pozicionuar si vendi i parë për fluksin dhe stokun e investimeve të huaja direkte, me 32 % të IHD-ve në Shqipëri, sipas të dhënave të 9 mujorit. Për periudhën janar-shtator të vitit 2019, stoku i investimeve italiane në vend ka arritur shifrën e 805 milionë euro, ndërsa fluksi i investimeve italiane në vlerën e 98 milionë euro.

Ministrja Denaj u ndal në tërheqjen e investimeve të huaja direkte në Shqipëri, mundësuar përmes politikave të zhvillimit ekonomik, të cilat sipas saj kanë nevojë të ridimensionohen, dhe institucioneve.

Qeveria shqiptare ka ndërmarrë në vitet e fundit politika fiskale lehtësuese për të incentivuar biznesin, të cilat shpesh janë parë si instrument për tërheqjen e investimeve të huaja. Megjithatë,  Denaj theksoi nevojën për një parashikueshmëri të politikave fiskale dhe atyre të zhvillimit ekonomik, në periudhë afatmesme.“Duhet të krijojmëmundësi që i gjithë regjimi fiskal të jetë më i lehtë, më i thjeshtë për tu kuptuar dhe aplikuar, e për të mos krijuar pastaj hapësira për informalitet dhe evazion, të cilat shpesh krijojnë konkurrueshmëri të padrejtë. Në këtë aspekt, mendojmë që thjeshtimi i politikave fiskale do të ndihmojë dhe në luftën kundër informalitetin.Vitin e kaluar kemi punuar me FMN për përgatitjen e një programi afatmesëm të të ardhurave që të kemi mundësi të sigurojmë një politikë më të qëndrueshme fiskale dhe për ta rishikuar atë pak më ngadalë, të paktën 3-5 vjet”, u shpreh ministrja,

Ajo u ndal edhe te nismat më të fundit të qeverisë që synojnë lehtësimin edhe të biznesit vendas. ” Revolucioni Digjital i shërbimeve, i cili për biznesin do të shkurtojë procedura dhe kohë; ligji i Fiskalizimit, i cili synon të luftojë informalitetin, evazionin dhe të vendosë kokurrencën e ndershme në treg; si dhe ligjin e unifikuar të Investimeve, i cili do të ofrojë më shumë siguri për investitorët e huaj dhe ata vendas”, theksoi Denaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë