Menaxhim

Denaj: Bujqësia ka nevojë për buxhet trefish më të lartë. IPARD? Ngadalësim procesi dhe jo bllokim

Nga Gazeta ‘Si’ - Ministrja e bujqësisë, Anila Denaj deklaroi se nevoja e fermerëve për mbështetje nga skemat kombëtare është afro 100 mln euro por nga buxheti i shtetit u është vënë në dispozicion vetëm 33 mln euro. 

Gjatë mbledhjes online në Komisionin e Veprimtarisë së Prodhuese, Denaj tha se edhe nëse buxheti për skemat kombëtare rritet, përsëri nuk do të mjaftojë nëse mungojnë fondet e BE-së, përmes programit të IPARD.

“Dua të korrigjoj një terminologji që është shumë e rëndësishme. Ka një nevojë për sqarim kur vjen puna tek fondet e IPARD se fjala bllokim nuk ështe termi i duhur, por ngadalësim. Afati i IPARD II përfundon në dhjetor dhe kemi bërë të gjithë praktikën për IPARD III të dorëzuar siç e kanë bërë edhe vendet e tjera të rajonit.

Absolutisht ne kemi disa rekomandime në raport me disa elemente kontrolli për të cilat së brendshmi jemi duke punuar që do raportohen tek strukutrat përkatëse. Prandaj fjala ngadalësim është termi i duhur”, tha ajo ndërsa shtoi se nevoja për buxhet në bujqësi është trefish më e lartë.

Aktualisht po bëhet një hetim nga BE për shkak të dyshimit për abuzime me fondet e IPARD, por në rast se skema e tretë do të riaktivizohet siç pret qeveria, fermerët dhe agro-industria do të mund të aplikojë për financime në 9 fusha të ndryshme.

Denaj e vuri theksin tek tre probleme kryesore me të cilat haset bujqësia.

“Zhvillimi rural ka tre probleme që buxheti duhet t’i zgjidhë: Fragmentarizimi i tokave, duhet bashkimi i fermerëve për shkak se kanë tokë të vogël, së dyti duhet cilësi dhe investime në teknologji, ndihmë në këtë drejtim është dhënë nga IPARD, dhe së treti duhet mbështetje për infrastrukturë, që të mbështesim bujqësinë nga faktorët klimatik.

Kushtet e vështira klimatike janë një kërcënim serioz, pasi në muajin shtator e tetor fermerët në Korçë, Berat, Elbasan dhe Konispol humbën rreth 80-90% të produkteve të tyre për shkak të breshërit. Sikur të ndërhyhet sot nga veriu në jug në të gjitha dimensionet e infrastrukturës, diga, rezervuare, argjinatura për lumenj, do të duhej një buxhet prej 700 milionë dollarë”, u shpreh Denaj.

Për vitin 2024 është parashikuar të mbështeten nga skema kombëtare 33 mijë fermerë.

“Sot mbështesim 68% të fermerëve që kanë një NIPT fermeri. Në 2023 u mbështetën 100% fermerët që aplikuan për skemat kombëtare, u mbështetën 55 mijë fermerë nga skemat mbështetëse. Skema kombëtare për vitin 2024 është 3.3 miliardë lekë, theksoj se do të rritet pas rishikimit në qershor. Përllogariten 33 mijë përfitues”, tha ministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë