Lajme

Dëmtimi i pyjeve, 7 deputetë kërkojnë interpelancë me ministrin Klosi

Një grup prej 7 deputetësh të opozitës parlamentare i janë drejtuar kryeparlamentarit Gramoz Ruçi me anë të një letre, pasi kërkojnë interpelancë me ministrin e Turizmit, Blendi Klosi, në lidhje me dëmtimin e pyjeve nga sëmundja e Procesionarias.

Deputetët kërkojnë shpjegim lidhur me dëmtimet serioze të sipërfaqeve të mëdha pyjore halore në rrethin e Korçës, Kolonjës, Pukës, Mirditës, Peshkopisë nga procesionaria, shkatërruesja e tyre e pamëshirshme, e cila sipas tyre ka tharë me mijëra pisha dhe rrezikon mijëra të tjera.

“Për rrjedhojë, kjo gjendje ka dëmtuar ekosistemin pyjor, mjedisin e turizmin në këto zona”, thonë më tej deputetët e opozitës së re.

Iniciativës së Ligoraq Karamelos i janë bashkuar duke firmosur për interpelancën Vasil Sterjovski, Nikolin Staka, Zef Shtjefni, Majlinda Halilaj, Ediola Braha dhe Kujtim Gjuzi.

Kërkesa drejtuar kryeparlamentarit

Procesionaria njihet ndryshe si sëmundja e pishave. Procesionaria është një krimb që lokalizohet në sythet e pishës, duke frenuar rritjen e tyre. Veç kësaj sëmundja degradon edhe lastarët ekzistues, duke i tharë në mënyrë progresive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë