Nga Gazeta 'SI' - Kreu i qeverisë së Shqipërisë, ndër të tjera, do të jetë përgjegjës edhe për gjeo-hapësirën.
Sipas ligjit të sapomiratuar dhe të dekretuar nga presidenti i vendit, Sistemi Gjeo-hapsinor do të jetë direkte i varur nga kryeministria, teksa ASIG, autoriteti përkatës, do të shërbejë për të monitoruar proceset dhe do të bëjë ndërmjetësimin e informacionit me institucionet e interesuara.
Drejtori i ASIG emërohet ose shkarkohet me vendim të kryeministrit.
ASIG do të ofrojë informacione të hapura për publikun, ndërsa shërbime më specifike do të ofrohen me pagesë.
Gjatë kohës që ligji ishte ende draft, ASIG argumentonte se financimi i ulët, mungesa e të dhënave dhe një sistemi të integruar GIS, Sistemi i Informacionit Gjeografik, ishin ngërçet kryesore të kësaj fushe që e kanë bërë atë jo eficiente. Sipas llogarive të Autoritetit, këto ndryshime kushtojnë rreth 800 mijë lekë në vit.
Gjeo-hapësira është një ndër fokuset e qeverisë, e cila në vitin 2023 lëshoi në hapësirë dy satelitët “Albania 1&2” me një kosto rreth 6 mln dollarësh. Vetë kryeministri Edi Rama e quajti shërbimin e dy satelitëve shqiptar në hapësirë një “radiografi”, ku me anë të fotove të tyre kuptohet gjendja e “mushkërive dhe zemrës” së Shqipërisë.
Kalimi i gjeo-hapësirës në “duart” e kryeministrit është miratuar në mes të një debati publik për një vendim të ngjashëm.
Në një draft të ri qeveria propozon që kërkimi shkencor të riorganizohet e të drejtohet nga një njësi që është në varësi të kryeministrit. Edhe pse qeveria argumentoi se ligji është i drejtë, akademikët janë shprehur për cënim të lirisë akademike dhe shkelje të Kushtetutës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.