Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, është shprehur për mediat në Kosovë se i ka parë me shqetësim të madh deklaratat e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili gjatë së enjtes tha se situata me dinarin e ka dëmtuar partneritetin e SHBA-së me Kosovën.
Haradinaj ka kërkuar reagim edhe nga presidentja e vendit, për siç tha: të mos e marrin në qafë Kosovën”.
Ai ka kërkuar që Kosova t’i rregullojë raportet me SHBA-në, në mënyrë që ta fitojë anëtarësimin në NATO.
“Besoj se duhet ne në Kosovë të gjithë të kemi qartësi pra s’guxojmë më tutje me hesht nëse e shohim ambasadorin në konferencë për shtyp, shqetësimin e tij, emocionin e tij se ai me dhimbje i thotë ato që i thotë, edhe nëse nuk veprojmë nuk është mirë. Pra së pari i kisha bërë thirrje kryeministrit, presidentes të mos e marrin në qafë Kosovën, pra t’i kthehen një marrëdhënie të besueshme me Amerikën edhe ta synojmë fitoren e krejt fitoreve që është anëtarësimi në NATO, e jo fitore ditore sa me e rrit votën sepse partitë shkojnë e vijnë por Kosova pa Amerikën e ka vështirë”, u shpreh Haradinaj.
Edhe Visar Azemi, anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) u shpreh se faji është i kryeministrit Kurti që sipas tij po sillet si arrogant dhe “si adoleshent i llastuar”
“Një popull po paguan faturën e marrëzive të këtij kryeministri. Kjo është e dhimbshme dhe duhet të marrë fund sa më shpejtë”, shkroi ai në Facebook.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.