Rend dhe Ligj

Dedja u shkarkua, hapet gara për anëtar në Kushtetuese

Vendimi përfundimtar për shkarkimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja ka detyruar Parlamentin që të hapë garën për anëtarë të këtij institucioni.
Kuvendi i Shqipërisë, bën të ditur se me qëllim plotësimin e vakancës së përkohshme të krijuar për shkak të mbarimit të këtij mandati shpall hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant për 1 anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

“Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte: të ketë zotësi të plotë për të vepruar; të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë; të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit; të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale; të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi; të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Kuvendit.


Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara më sipër, duhet të plotësojë edhe këto kritere: të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike; të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës; të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.

Plotësimi i kritereve të mësipërme, sipas Parlamentit vlerësohet në bazë të: vjetërsisë në profesion; përvojës së veçantë të kandidatit në një fushë të caktuar të së drejtës, ose këshilltar ligjor i Gjykatës Kushtetuese a Gjykatës së Lartë; kualifikimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në një fushë tjetër të së drejtës; treguesve shkencorë, ku përfshihen botimet dhe artikujt shkencorë në fushën juridike; ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë juridik, me një mesatare notash jo më pak se 8 ose të barasvlershme me të, nëse arsimi i lartë është përfunduar jashtë vendit ose vlerësimit përfundimtar në Shkollën e Magjistraturës; informacioneve të marra nga institucione të tjera publike.
Kërkesa për shprehjen e interesit, e shoqëruar me dokumentacionin e mësipërm, duhet të paraqitet brenda datës 23 janar 2019 në zyrën e protokollit të Kuvendit, ose me postë në adresën:
Lista e kandidatëve do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit të Shqipërisë, dhe bashkë me dokumentacionin përkatës për secilin kandidat do t’i përcillet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Bashkim Dedja kaloi fazën e parë të procesit të Vettingut, por ndërkombëtarët kërkuan që Komisioneri Pulbik ta ankimojnë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Pas kësaj kërkese Komisioneri Publik paraqiti ankimimin për Dedjan. Më 17 nëntor të këtij viti u dha vendimi për shkarkimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Ky institucion tashmë ka mbetur vetëm me një anëtar, Vitore Tushajn, së cilës i ka mbaruar mandati, por qëndron ende në detyrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë