Politike

Debati brenda llojit/ Berisha, Paloka e Alibeaj, akuzojnë njëri-tjetrin si të shitur te PS. (Mesazhi ndryshe i Tabakut)

Seanca e të enjtes në Kuvend nisi me tone të ashpra që nxorri në pah dy debate: Konfliktin brenda grupit parlamentar të PD për shkak të kohës së shpërndarë për mocionin me debat për Integrimin Europian nga kryetari i grupit Enkelejd Alibeaj për deputetët e "përjashtuar" (Berisha, Vokshi, Spaho dhe Baçi) dhe qëndrimi i protokollit te Kuvendit ndaj fjalorit të Edi Ramës të enjten e kaluar, duk u përjashtuar vetëm dy deputetët e PD, Edi Paloka dhe Bujar Leskaj.

Grupi i deputetëve të PD se "Rithemelimit" kërkoi më shumë kohë ndërkohë që drejtuesja e seancës, Ermonela Felaj i njoftoi se nuk kanë grup parlamentar dhe nuk mund të kenë aq minuta sa kërkojne

Paralelisht PD kërkoi përjashtimin e Kryeministrit Rama nga Kuvendi për gjuhën e përdorur në seancën e kaluar, e cila sipas Albana Vokshit ishte vulgare, ndersa ish-kryeministri Sali Berisha bllokoi foltoren çka shkaktoi edhe mbylljen për disa minuta të seancës parlamentare.

Live nga Facebook-u i tij, Berisha tha se ndaj opozitës po bëhet një shkelje e madhe pasi nuk i jepet e drejta e fjalës.

Ai sfidoi nënkryetaren e Kuvendit Ermonela Felaj duke thënë se pavarësisht se ajo mund të fikë mikrofonin ata e gjejnë sërish mënyrën e komunikimit me qytetarët.

Berisha paralajmëroi protesta dhe kërkoi përjashtimin e Ramës nga Parlamenti për gjuhën që ka përdorur në seancën e kaluar.

“Jemi sot këtu për të mbrojtur të drejtat e popullit opozitar, për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve. Këta këtu sot diskutojnë për Europën, përjashtojnë nga fjalimi ish-ministrin e Jashtëm. Këta sot diskutojnë për Europën me hijen e tmerrshme të vjedhjeve që kanë bërë me djegësit dhe atë që po përgatisin me Portin e Durrësit. Këta vetëm me Europën që nuk kanë asgjë. Sot Taulant Sharra që është de fakto Gentian Sharra me kryebanditin me të cilin ka tendera dhe afera më të pista flet në emër të vasalit të Putinit lidhur me rubla ruse dhe përralla babushkash”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se e vërteta është se “Rama është avokati i Vuçiçit, i Serbisë dhe se vëllezërit Karriç janë bashkëaksioner me vëllezërit Rama në Portin e Durrësit. Të gjitha këto detyrojnë opozitën që të mbajë qëndrim tjetër në Kuvend. Këto detyrojnë opozitën që të thërrasë popullin të flasë në këtë parlament”.

“Në rast se nuk flet populli, siç po flasin këta këtu, vijoi Berisha, ky parlament nuk duhet të jetë".

“Sot do të jetë një ditë në lartësinë e 12 nëntorit, por shumë shpejt ajo datë do të kalohet nga protesta të tjera të fuqishme para parlamenti, në bulevardin e Tiranës.

Europa dhe Bota do të marrë vesh se hajdutët nuk do të sjellin kurrë stabilitet. Hajdutët nuk kanë moral, janë të aftë të kryejnë çdo akt ndaj popullit të tyre. Këto janë të vërtetat. Fikeni sa të doni ju mikrofonin, po jo që është mrekulli e FB që të më lejojë mua dhe çdo deputet të komunikojë me zgjedhësit e vetë”, tha ai.

Ndonëse sot Berisha nuk e përmendi, deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj e nisi fjalën e tij duke iu përgjigjur ashpër akuzave të ardhura një javë më parë nga grupi i Berishës se "është i shitur te kryeministri Rama përmes pazareve që ka bërë."

Ai tha se, "edukata familjare nuk e lejon që t’ua përmendë emrin dhe të flasë më të njëjtën gjuhë".

"Kush e do opozitën le të bëjë diçka, të shkëputet nga gjuha e shëmtuar e 30 viteve. Ky është pazari i vërtetë. Ngrihet ai që para një jave që lëshoi rrufe fyerjesh dhe pasohet në iso nga një pjesë tjetër këtu. E njëjta gjuhë, të njëjtat fyerje, dhe ne akuzohemi për shitje? Për pazare? Jo. Shqiptarët do të duhet që ta kuptojnë se ka ardhur koha për t’i japim fund, me çfarëdo lloj kostoje. E kemi për detyrë ta bëjmë sot dhe do ta bëjmë në vazhgim."

Alibeaj tha se pazarxhinj nuk mund të jenë ata të cilët kanë ngritur komision hetimor për inceneratorët, apo që kanë kundërshtuar hapjen e dosjeve të regjimit komunist, apo dhe që së fundmi kanë kundërshtuar fuqishëm portin e Durrësit.

“E vërteta u duhet thënë shqipatrëve. Është detyrim historik ndaj shqiptarëve. E kemi për detyrë ta bëjmë sot dhe do ta bëjmë në vazhdim. E di që data e 30-viteve do të vazhdojë. Ky është momenti historik që ne duhet ta marrim përsipër.

Do të dëgjoni të shitur, të blerë, pazarxhinj. Pazarxhinj ne, që këtu disa nga këta nuk e votuan Komisionin e Inceneratorëve. T’i dalësh përballë 30-viteve pazare të fëlliqurra që vazhdojnë dhe sot ‘e duam Shqipërinë si gjithë Evropa’, pse jemi dhe sot me ëndrrën e vrarë të shqiptarëve, jemi këtu nga njëra anë dhe nga ana tjetër e këtij parlamenti.

Ne jemi këtu të themi të vërtetën, pa bërë pazare. Ai që voton kundër hapjes së dosjeve të komunizmit, ai bën pazare?! Kush bën pazare ai që denoncon Portin e Durrësit, ku gjysma këtu janë të zhytur deri në majë?!”, tha Alibeaj.

Pas Alibeajt, reagoi edhe deputeti i PD-se, i përjashtuar për 10 ditë nga Kuvendi, Edi Paloka.    

“Alibeu paska dalë në podium për të sulmuar PD jo Ramën! Ky që pranon të ulet e bashkëpunojë me Tao Ballën, deklaroi se as “nuk do ti përfaqësojë ata me të cilët nuk e lidh asgjë”, duke nënkuptuar deputetet e PD. E me paturpësi pastaj shton se qenka kryetar i grupit të PD! Të kujt PD, të asaj që voton në Parlament sic urdhëron Rama e që ka përfunduar me keq se “kerperata” ? Të atij grupi që bashkëpunon me Ramën në Parlament për t’i mbyllur gojën opozitës e për të bllokuar nismat e saj ?

A mund të na thotë ky Alibeu si pjese e Konferencës së Kryetarëve se si ka mundësi që Rezoluta për krimet e genocidin në Kosovë, në shkelje të cdo procedure, vazhdon të qëndrojë në sirtar ?

Ne foto: Edi Paloka

Po projektligji për lustracionin i paraqitur nga ne, pse vazhdon të mos e shoh dritën? A e ka ngritur në Konferencën e kryetareve këtë cështje ky “bashkëluftëtari” i Tao Ballës në gjoja hapjen e dosjeve ?! Sigurisht që jo, sepse nuk e lënë Tao me Ramën. Prandaj dhe Rama ndjehet komod  dhe lëshon çfarë i vjen në gojë për opozitën, kur në sallë është vetëm Alibeu…

Prandaj shumë shpejte në atë salle do duhet të flasin shqiptarët, demokratët e jo ata që kanë uzurpuar karriget e mandatet me votën e tyre e ca më shumë ata që janë aty me votë të vjedhur e manipuluar”, shkruan Paloka.

Ndërkohë, Jorida Tabaku i ka futur në thes të gjithë, duke përcjellë një mesazh për gjithë politikën.

"Une besoj se ne politikë ka rëndësi qendrueshëmria. Me 12 vite në politikë e di sot se kush është i shitur dhe kush është i blerë. Kush i shërben qeverisë dhe kush Edi Ramës. Kush i shërben X oligarkut të naftës. E kush merr lejen e ndërtimi. Sot e kanë të qartë qytetarët shqiptarë. E kanë të qartë se kush merr leje hidrocentralesh. E kane të qartë të gjithë se çfarë ka ndodhur në politikën shqiptare.

Unë kam refuzuar të bëhem pjesë e kësaj balte sepse kushdo që sulmon e shan brenda forces politike, vetëm sa jep argument kundërshtarit për ta përdorur këtë argument siç e përdor sot, dhe flasin sot për rublat ruse, këto ish Partia Komuniste.

Sot në politikë duhet të tregojmë se si bëhet politikë. E unë e kam treguar duke folur me argumente, fakte dhe duke folur të vërtetën", tha Tabaku në Kuvend.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë