Nga Gazeta ‘Si’- Mbledhja e Komisionit të Ligjeve filloi me akuza për manipulim zgjedhjesh.
Deputeti i PD-së, Asllan Dogjani, tha se ligjet për të cilat po mblidhen janë sipas tij vetëm një “dekor” që shërben për t’i dhënë pushtetit një pamje formale. Kryetarja e komisionit, Klotilda Bushka, e ndërpreu duke thënë se analizat mbi zgjedhjet duhet të bëhen brenda partive.
“Në një vend ku nuk organizohen zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe qytetarët nuk kanë mundësi të votojnë të lirë, nuk ka kuptim të mblidhemi si komision për të bërë ligje false, vetëm për t’u dukur si një vend demokratik, ndërkohë që në Shqipëri demokracia ka humbur dhe është vendosur një regjim diktatorial”, tha Dogjani.
Sipas tij, paratë e drogës dhe frika ishin mjetet më të fuqishme në këto zgjedhje.
“Gjatë fushatës zgjedhore u përdor krimi dhe manipulimi nuk mungoi as gjatë numërimit të votave. Ju madje keni përfshirë edhe artistë për manipulimin”, tha ai.
Ndërkohë, Enkelejd Alibeaj kërkoi që të mos miratohen ligje derisa populli të ketë vendosur që disa prej tyre të mos përfaqësohen më në Kuvend dhe t’i lëshohet kjo detyrë Kuvendit të ri.
Por Bushka u shpreh se disa ligje janë urgjente dhe duhet të miratohen sa më shpejt, ndërsa për të tjerat mund të ketë diskutime dhe dakordësi të përbashkët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.