Ekonomi

Debat te Konferenca e Kryetarëve, Tabaku-Malajt: S’ka buxhet pa Paketë Fiskale!

Nga Gazeta ‘SI’ – Konferenca e Kryetarëve në Kuvend ka nisur me debate midis qeverisë dhe opozitës, pasi këta të fundit nuk pranuan prezantimin e projektbuxhetin pa Paketën Fiskale.

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku u ankua për mungesën e Paketës Fiskale, kritikë e përvitshme. Sipas Tabakut, kjo është taktikë e qeverisë për të shmangur shqyrtimin e draftit.

“Për të cituar nenin 78, kryetari i Kuvendit lajmëron menjëherë Kuvendin për projektbuxhetin dhe për projektligjet e lidhura drejtpërdrejt me të. Pikërisht projektligjet financiare që kanë lidhje me të. I referohet me çdo rast jo vetëm buxhetit të shtetit. Z.Peleshi kjo është një procedurë e veçantë, sepse është ligji më i rëndësishëm që sjell këtu qeveria. Tani ju doni të kaloni buxhetin me disa projektligje që do i shohim pasi të miratojmë buxhetin. Nuk ka buxhet pa paketë fiskale, nuk ka buxhet pa paketë fiskale! Nuk ka nevojë të jesh ekonomist për ta kuptuar këtë.”, tha Tabaku.

Ministri i Financave Petrit Malaj  shpjegoi se paketa fiskale ishte ende për diskutim me grupet e interest dhe do të ishte në Kuvend brenda javës së ardhshme sipas procedurës.

Paketa fiskale aktualisht është në diskutim me grupet e interesit…“, tha Malaj duke shtuar, “Po e diskutojmë në lidhje me direktivat e BE-së dhe në këto kushte jemi të detyruar që këtë paketë fiskale, para se ta sjellim në Parlament për miratim, ta diskutojmë edhe me ta. Nuk presim ndryshime në paketën fiskale, por për procedurë do duhet t’ja përcjellim edhe atyre”, tha Malaj.

Pas këtij diskutimi, foli pak edhe kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

Pretendimi juaj ka vend për diskutim, lidhet me kalendarin e posaçëm. Prezantimi i projektbuxhetit nuk pengohet nga kalendari. Mbarojmë prezantimin dhe pastaj kur të shkojmë të kalendari diskutojmë nëse jemi gati. Nuk na pengon rregullorja, përkundrazi.”, shpjegoi Peleshi lidhur me këtë pikë diskutimi.

Qeveria e depozitoi projektbuxhetin 2026 në Kuvend një ditë më parë dhe pas një jave pritet të prezantohet në Parlament.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë