Nga Gazeta ‘Si’- Debati i politikës shqiptare për zgjedhjet e 11 majit u zhvendos këtë të mërkurë në Strasburg, në takimin e 19-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit.
Në emër të qeverisë, ministri i Shtetit, Taulant Balla, tha se Shqipëria është më e përgatitur se kurrë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, ndërsa i cilësoi historike zgjedhjet e 11 Majit.
“Qytetarët tanë bënë një zgjedhje të qartë, për të vazhduar rrugën e reformave dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit në BE. Këto zgjedhje ishin historike, jo vetëm për shkak të rezultatit të tyre, por edhe për shkak të mundësimit për herë të parë të votimit nga jashtë vendit”.
Por, për kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, më 11 Maj nuk u parandaluan krimet zgjedhore.
“Nuk pati asnjë rezultat konkret për parandalimin e krimeve zgjedhore. Mund të ketë çështje nën hetim dhe procedime në zhvillim, por nëse rezultatet e këtyre hetimeve i marrim në vitin 2030, ato nuk ndihmojnë aspak në ndëshkimin real të krimeve zgjedhore”.
Mandej Balla debatoi dhe me deputeten e zgjedhur demokrate, Jorida Tabaku, për Reformën Zgjedhore.

Balla ritheksoi nevojën që të nisë menjëherë në shtator puna për reformën zgjedhore.
“Dhe sigurisht, në reformën e ardhshme ka diçka për të cilën patjetër duhet të biem dakord.Ndaj duhet të parashikojmë në Kodin Zgjedhor mënyrën se si zgjidhen anëtarët e Parlamentit Evropian.
Pra, në thelb, kemi diçka për të cilën mund të biem dakord.”
“Më vjen keq të them që për 12 vitet e fundit parlamenti nuk ka qenë në gjendje të bëjë një reformë të plotë elektorale dhe ka të bëjë me vullnetin politik”, tha Tabaku.
Tabaku u ndal edhe te raporti i OSBE/ODIHR, duke theksuar se raporti flet për shkelje të kritereve të Kopenhagenit. Ajo tha se sipas saj këto ishin zgjedhjet e para me negociatat e hapura dhe për fat të keq, sipas saj, një mundësi e madhe u humb.
Për përfaqësuesit ndërkombëtarë në Komisionin e Stabilizim-Asociimit, Shqipëria është pararojë në procesin e integrimit evropian.
“Kemi 4 grupkapituj të hapur dhe jemi në prag të të pestit, jemi në një moment të paprecedent jo vetëm nga pala e Shqipërisë, por edhe nga BE. Afatet janë ambicioze, por të arritshme me punë dhe vullnet nga të gjitha palët. Ecuria për sundimin e ligjit ka qenë kyçe për ta bërë këtë gjë e në veçanti, është vijimësia e reformës në drejtësi, si dhe rezultatet e mira të SPAK”, u shpreh Sigrid Brettel.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.