Kinema

Dea, filmi dhe pandemia

Që në ngjizje, Dea ishte menduar të mos ua privonte pjesëmarrësve dhe admiruesve të Artit të Shtatë, bukurinë e rivierës shqiptare, edhe ndërsa shihnin një film në bezen e bardhë...Fillimet e vjeshtës në Sarandë nuk ndryshojnë shumë nga netët e verës dhe Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Dea Open Air”,  kishte menduar të mos i mbyllte në salla të mbyllura  pranishmit, por  t’i linte filmat të shijoheshin me ndenjëset jashtë dhe flladin e detit.

Pak do ta kishin menduar organizatorët më 2014-n, që edicioni i shtatë i këtij festivali do të zhvillohej në kushte të skajshme pandemie. Tanimë, edhe të tjerë evente që tradicionalisht janë organizuar në mjedise të mbyllura, janë detyruar të përshtaten në “ajër të hapur”.  

 “Edhe në këtë vit që ishte i çmendur edhe i çuditshëm, ne vendosëm ta bëjmë festivalin, edhe për fat të mirë do të jetë edhe në Tiranë, përveçse në Sarandë. Do të tentojmë ta zhvillojmë pranë Amfiteatrit të Universitetit të Arteve, me qëllimin që festivali të shërbejë edhe për ta ndërtuar atë si një kinema permanente në Tiranë”, thotë regjisori  Edmond Topi, themelues i Festivalit “Dea Open Air”.

Janë 70 prodhime kinematografike të përzgjedhura për këtë edicion që do të mbahen nga data 11 deri më 16 tetor.Topi tregon se pandemia ka ndikuar në reduktimin e kineastëve të pranishëm fizikisht nga Europa dhe bota, por jo në përzgjedhjen e filmave që janë në garë “Në përzgjedhjen e filmave pandemia nuk ka ndikuar, pasi ishte bërë më herët. Ajo që bëri pandemia është që humbi dimensionin ndërkombëtar që kishte festivali, pasi rreth 50 kineastë nga më të njohurit në Europë janë pjesë e festivalit, edhe e kanë të pamundur për të ardhur”, do të vijonte Topi, ndërsa  shumë syresh, kur mbërritën në edicionet e para në qytetin bregdetar nuk i kursyen komplimentat duke e krahasuar me një Kanë të vogël.

Megjithë modestinë e qytetit në jug të Mesdheut dhe vetë festivalit, ai e ka vazhduar traditën, duke u propozuar njëherazi pjesëmarrësve nga viti në vit edhe bukuri të tjera shqiptare,si qyteti i Gjirokastrës.

Regjisori e sheh këtë festival, si një mundësi të mirë që jo vetëm artdashësit të kthejnë vëmendjen nga kinemaja, por edhe komuniteti artistik të dialogojë për problematikat që hasen në kinemanë shqiptare. “Kinemaja shqiptare ka shumë pak lidhje me ‘Dean’.  Ne  prodhojmë për të jashtmit, sepse kinemaja shqiptare e ka mendjen tek “Oskar”. Kinemaja shqiptare, mendon, prodhon me parat tona për të jashtmit”, ka kritikuar Topi, duke vënë theksin tek tematika si burrneshat apo gjakmarrja, që tërheqin interesin e të huajve.

Festivali  do t’i qëndrojë konceptit “Open Air”, sicc edhe u krijua, por për shkak të kushteve të pandemisë dhe pasigurisë së motit, programet do të ofrohen edhe on line në faqen zyrtare të festivalit.Nëse moti do të jetë bujar,si në netët e Sarandës, filmat me metrazh të gjatë e të shkurtër do të shfaqen në  Amfiteatrin e  Universitetit të Arteve.

Mirela Oktrova, bashkë-organizatore e "Dea Open Air"

Në qendër të festivalit vijon të jetë Programi i Filmit me Metrazh të Gjatë, ndërsa këtë vit  marrin pjesë filma nga Kosova, Gjermania, Rusia, Italia, Bjellorusia dhe Mali i Zi.Këtë vit pjesë e festivalit janë edhe: Seksioni i filmit të Shkurtër, me 22 filma nga 13 vende të botës, d Seksioni i Filmit Studentor , me 24 filma nga 10 vende të botës,  si edhe Seksioni i Filmit Dokumentar,  me 16 filma nga 11 vende të botës.

Specialistët e kinemasë, drejtorët e disa festivaleve të tjera europiane të filmit, por dhe aktorët, regjisorët, producentët dhe gazetarët e ftuar, të cilët i japin aktivitetit gjallërinë dhe komunikimin shumëdimensional, që kinemaja gjithnjë premton dhe realizon, do të jenë këtë vit pandemie pjesërisht të pranishëm fizikisht, por shumë intensivisht  në botën virtuale, për të aksesuar filmat dhe komunikuar online.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë