Rend dhe Ligj

DEA amerikane zbarkon në Shqipëri: Denonconi rastet e drogës e të pastrimit të parave

Gazeta Si – Lufta kundër drogës dhe pastrimit të parave në Shqipëri do të ketë edhe një kanal të ri komunikimi dhe parandalimi.

Tashmë DEA nuk mjaftohet vetëm me partneritetin me Policinë e Shtetit për të marrë informacione në lidhje me trafikantët me origjinë shqiptare.

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, ka shpërndarë një njoftim, ku citohet Agjencia e SHBA-ve Kundër Narkotikëve (DEA), e cila ka hapur një linjë të re sinjalizimi për vendin tonë.

Në shënimin e saj, zyra diplomatike në Tiranë, nxit këdo që ka informacion në lidhje me trafikun e drogës ose pastrimin e të ardhurave nga droga dhe ta ndajë informacionin me personelin e DEA-s në WhatsApp në: +1 571 502-7846 ose me email në: [email protected].

LEXO EDHE:
Ekskluzive – Si ra DEA amerikane në gjurmët e Klement Balilit

“Agjencia e SHBA Kundër Narkotikëve njofton një linjë të re sinjalizimi për Shqipërinë. DEA nxit këdo që ka informacion në lidhje me trafikun e drogës ose pastrimin e të ardhurave nga droga ta ndajë informacionin me personelin e DEA-s në WhatsApp në: +1 571 502-7846 ose me email në: [email protected]. Të gjitha të dhënat do të mbahen të fshehta”, – thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të Ambasadës, SHBA-të janë të përkushtuara të punojnë me Shqipërinë për të luftuar trafikun e drogës dhe pastrimin e parave të lidhura me to, për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të punojnë me Shqipërinë për të luftuar trafikun e drogës dhe pastrimin e parave të lidhura me to, për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët”.

Në shtatorin e vitit të shkuar, ambasada amerikane në Tiranë njoftoi mbërritjen e një agjenti special në Tiranë, që do të kishte si mision bashkëpunimin me SPAK në luftën kundër drogës.

Para rreth 6 muajsh, agjenti special Brendan Leddy zhvilloi një takim me ambasadoren Yuri Kim, e cila tha se DEA do të bashkëpunojë ngushtë me Prokurorinë e Posaçme dhe homologët shqiptarë për luftën ndaj drogës dhe krimit të organizuar.

Zyra e DEA-s në Shqipëri do të jetë lidhje e zyrës qendrore në Athinë. Pjesëtarë të DEA-s do të jenë bashkë me policinë shqiptare në kontrolle kufitare si porte aeroporte e pika tokësore.

Filiali i DEA-s, ka në fokus luftën ndaj trafikut të drograve, kryesisht kokainën, e cila vjen nga Amerika Latine.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë