Nga Gazeta “SI”- Në një mbrëmje plot emocione në Londër, shkrimtari britaniko-hungarez David Szalay u shpall fitues i Çmimit prestigjioz Booker 2025 për romanin e tij më të ri,“Flesh”, një histori e fuqishme që ndjek jetën e një emigranti hungarez të përfshirë në kërkimin e pasurisë, identitetit dhe kuptimit të vetvetes.
Në këtë vepër, Szalay përdor një stil të ftohtë dhe të ngjeshur duke eksploruar anët më të errëta të mashkullit modern. Protagonisti i tij kalon nga shërbimi ushtarak në Hungari te puna për njerëzit super të pasur në Londër, ndërsa jeta e tij përfshin afera, zhgënjime dhe momente të dhimbshme vetmie.
Kryetari i jurisë, shkrimtari irlandez Roddy Doyle, e përshkroi romanin si “të veçantë dhe të jashtëzakonshëm”.
“Nuk kishim lexuar kurrë diçka të ngjashme,” – tha Doyle. – “Në shumë mënyra është një libër i errët, por është një kënaqësi ta lexosh.”
Szalay fitoi ndaj pesë finalistëve të tjerë të njohur, përfshirë Kiran Desai, fituesen e Booker-it të vitit 2006, dhe Andrew Miller. Në garë ishin gjithashtu romanet “Flashlight” e Susan Choi, “Audition” e Katie Kitamura dhe “The Rest of Our Lives” e Ben Markovits.

Juria e këtij viti përfshinte emra të njohur si aktorja Sarah Jessica Parker, shkrimtaret Ayobami Adebayo dhe Kiley Reid, si dhe kritiku Chris Power. Ata shqyrtuan 135 vepra përpara se të zgjidhnin romanin e Szalay-t si më të mirin e vitit.
Në një intervistë të mëparshme për organizatën e Çmimit Booker, Szalay shpjegoi se kishte dashur të shkruante një histori që lidhte Hungarinë me Anglinë, për të reflektuar mbi ndasitë kulturore dhe ekonomike të Evropës bashkëkohore.
“Të shkruash për një emigrant hungarez në kohën kur Hungaria iu bashkua Bashkimit Evropian më dukej si mënyra më e qartë për ta bërë këtë,” – tha ai.
Ceremonia përfundoi me dorëzimin e çmimit nga Samantha Harvey, fituesja e vitit të kaluar për romanin “Orbital”.
I lindur në Montreal dhe i rritur në Londër, David Szalay jeton sot në Vjenë dhe është autor i gjashtë romaneve . . Meromanin “Flesh” ai forcon statusin e tij si një nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore evropiane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



