Art dhe Kulture

Dashuria utopike e kthen Sislej Xhafën në vendlindje

Nuk e di pse gjendem këtu, do i përgjigjej gazetarit të dërguar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, i cili ishte aty, përpara portës së Galerisë Kombëtare të Arteve të Kosovës për të intervistuar artistin shqiptaro-amerikan pak ditë përpara çeljes së ekspozitës së tij “Love you without knowing”. “Është e rëndësishme, pasi për mua dashuria është si utopi; pa hapësirë dhe pa kohë. Diçka  që nuk mund të përkufizohet” –do të shtonte Sislej Xhafa, i cili çeli më 5 korrik për herë të parë një ekspozitë në vendlindjen e tij. “Jam shumë i lumtur që jam këtu, nuk jam i vetëdijshëm pse jam, por jam i lumtur, sepse do të jetë argëtim.”

Pas shumë ekspozitash në muze e galeri prestigjioze të botës, artisti konceptual vendosi t’i sjellë veprat e tij për bashkëkombësit, të cilët do të kenë mundësi t’i shijojnë deri më 25 gusht në mjediset e galerisë. Edhe pse ky është prezantimi i parë në vendin e tij, pas rrugëtimit të famës së Xhafës që kaloi nga Italia drejt Gjermanisë e më pas drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ai e përfaqësoi Kosovën në edicionin 57-të të Bienales së Venecias, vitin e kaluar me veprën “Lost and Found”.

Vepra e Xhafës në Bienalen e Venecias, 2017. 

Rreth veçantisë që mbart kjo ngjarje për shkak të ngjyresës emocionale, Xhafa thotë se është një sfidë, nga ato të gjithhershmet që artisti i ka me veten, me kohën e me hapësirën. “Dhe kjo ekspozitë  është mënyra sesi e përkufizoj në terma të intensitetit dhe në marrëdhënien me mjedisin, mendoj se natyra merr një dimension tjetër. Nuk jam i vetëdijshëm sesi shpiket pjesa e artit në kohë dhe hapësirë, por mund të them se jemi argëtuar, kemi sfiduar veten pak çaste para çeljes, sepse më pas shfaqja nuk është më e imja, por e njerëzve.”

Varka me këpucë, Sislej Xhafa

Koncepti, i kuruar nga kuratori francez Jérôme Sans, paraqet një miksim të veprave të Xhafës nga të hershmet e deri tek më të rejat. “Disa pjesë tregojnë rrugëtimin tim artistik dhe doja t’i ndaja me audiencën, ndërsa disa të tjera, të përzgjedhura theksojnë kompleksitetin e botës së sotme për çështje që kanë të bëjnë jo vetëm me Kosovën.”

Kolltuku me të ndenjurat, Sislej Xhafa

Varka e thurur me këpucë, e shtirë në dyshemën e mjediseve të galerisë e sjell të gjallë dramën e emigracionit, varfërinë, luftrat, mbijetesën, humbjen njerëzore, ndërsa një kolltuk në formë të ndenjurash gjigante shihet si shkuarja drejt individualitetit, egoizmit apo kërkimit të komoditetit në shoqëritë post-moderne. Por ajo me të cilën do të befasonte më së shumti Sislej Xhafa publikun kosovar ishte ngritja e një stalle të vogël lopësh në mjediset ekspozuese. Ishin tetë të tilla, të gjalla të mbyllura me disa dërrasa ku lejohej kundrimi për spektatorët që përbënin edhe provokimin më të madh jo vetëm për dashamirësit e artit, por edhe për krejt shoqërinë kosovare. Mund të ketë qenë dimensioni i natyrës për të cilin Xhafa flet shpesh, për shkatërrimin e kësaj të fundit me urbanizimin e pandalshëm të botës që na rrethon apo një mesazh edhe më ironik, për t’i çuar të gjithë të pranishmit te jashtëqitjet e kafshëve.

Stalla e lopëve në GKK, Sislej Xhafa

Rrugëtimi artistik i Xhafës në Kosovë do të kishte edhe një ndalesë tjetër. Parlamenti i Kosovës u shndërrua në një hapësirë koncertore harqesh, të një grupi artistësh mbuluar me maska të zeza ndërsa luanin pjesë klasike. Një performancë e cila ishte pagëzuar nga Xhafa si “Bilbili” dhe u duartrokit nga deputetët e Kuvendit.

Banda e maskuar e instrumentistëve të harqeve në Parlamentin e Kosovës, Sislej Xhafa.

Anëtar i një familjeje artistësh, nxitjet e para i mori nga i ati Xhevdeti artist i arteve figurative dhe pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura të Kosovës, duke formuar disa breza. “Nxitjet e para i kam pasur me tim atë, kur isha i ri. Ishte frymëzimi i parë në terma të lirisë së shprehjes, jo vetëm si diçka verbale, por diçka magjike. Kjo ishte nga më të vështirat që më zbuloi, jo vetëm me anë të gjuhës por pyetjet ndaj vetes lidhur me kohën e hapësirën...”

Rrëfen se ishte njëmbëdhjetë vjeç kur nisi të ngrejë pyetjet e para që do e çonin drejt shprehjes së artit konceptual, ndërsa vështronte një manifestim studentor kundër regjimit të atëhershëm. Ishin vitet ’80 në Kosovë dhe ata studentë që protestuan për kushte më të mira edukimi u dhunuan brutalisht nga forcat e policisë. “Pyeta veten sesi munden mijëra njerëz të kërkojnë një ndryshim për të mirën e shoqërisë , e si munden të kenë zë? Pyeta veten se ku ishte roli im në gjithë këtë. Më pas pyeta tim atë dhe ai më tha diçka unike: “Artisti ka profesionin më të vështirë; duhet të jetë unik dhe të theksojë ndjeshmërinë. Isha 11 vjeç, por më dha nxitjen e parë se ku jemi në kohë e hapësirë.”Përpjekjet e para për të shpalosur zërin e tij të revoltës përmes artit i bëri në moshën 14 –vjeçare, por në hapësira underground dhe vetëm për një publik shqiptar, kujton ai.

Xhafa, vëllai i artistes Alketa Xhafa Mripa me të cilën i bashkon zhanri konceptual, rrëfen se në shtëpi nuk diskutojnë më për art. “Sepse ndjejmë që duhet të kemi autonominë dhe integritetin vetjak. Nuk ndajmë asgjë me njëri tjetrin dhe as e dimë çfarë bëjmë. Kjo është e bukur e tre anëtarëve të një familjeje të përfshirë në art. Se çfarë bën ime motër e mësoj nga media. Është një lloj vetmie krijuese, për shtigjet e ndryshme që kemi.” –thotë ai, ndërsa e motra, Alketa ka komentuar mbi një video të performancës së Sislejt në Kuvendin e Kosovës. “Çfarë grupimi, çfarë pjesëmarrjeje! Vetëm Sislej Xhafa mund ta bëjë këtë duke o bërë të gjithë bashkë “

Ekspozita e Xhafës në Kosovë

Prej vitesh Xhafa ka zgjedhur të jetojë në Nju Jork dhe pranon se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u ndje i përqafuar nga toka e mundësive. “Zgjodha Nju Jorkun për shoqërinë multi-etnike dhe hapësirat për të praktikuar çfarëdo që ke dëshirë, ke hapësirën e pjesëmarrjes. Këtë nuk e kam përjetuar askund, as në Berlin anë Itali. Mendoj se Nju Jorku ishte diçka vërtet unike. Aq sa thashë: “Ky është vendi im, qyteti im.”Por fakti se ka lindur në Prishtinë, në Kosovë për Sislejn është i shenjtë, pasi pikërisht aty ishte pikënisja e rrugëtimit të tij në krahët e artit. Për Xhafën shprehja artistike është një lloj rezistence njerëzore, por në terma të tjera.“Të dua pa e ditur” (Love you without knowing) u drejtohet Sislej secilit kundrues që kalon qoftë edhe një çast përpara veprave të tij të ekspozuara në Galerinë e Arteve në Kosovë dhe dashuria , nuk mund të jetë gjë tjetër veçse dhuratë, mendon ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë