Cath Pound/ BBC Culture – Dashuria është një subjekt që ka frymëzuar artistët për shekuj, për të mos thënë në mijëvjeçarë. Dhe ndërsa, shumë prej nesh i kanë kthyer sytë nga aplikacionet e takimeve për të gjetur dashurinë, përvoja e lidhjeve online është diçka që artistët bashkëkohorë kanë nisur ta eksplorojnë. Një ekspozitë intriguese në Kunsthalle, Bremen, gjurmon mënyrat e ndryshme të portretizimit të dashurisë dhe marrëdhënieve në art, përgjatë epokave, nga idealët klasikë tek epoka kompjuterike. Pesë seksionet e ndryshme – çiftet prototipa, çiftet e vërtetë, dashuria për veten, bukuria dhe erotikja – zbulojnë se megjithëse përshkrimet dhe pritshmëritë e dashurisë mund të kenë ndryshuar, ka ende disa paralele befasuese mes përvojave antike dhe atyre moderne.
Adami dhe Eva; me siguri çifti fillestar është portretizuar nga shumë prej artistëve më të mëdhenj në histori – zakonisht për të ilustruar rreziqet e dëshirës së mishit dhe natyrën mëkatare të njeriut. E megjithatë, për kuratoren Jasmin Mickein, kur Eva shfaqet duke u tunduar prej gjarprit(si në portretizimin e çiftit bërë nga Adriaen Isenbrant në vitin 1520), ajo gjithashtu ka parashikuar modelin e të gjitha marrëdhënieve të së ardhmes – në kuptimin e fjalëpërfjalshëm.
“Të dy jetojnë në Parajsë dhe janë të magjepsur me njëri-tjetrin, derisa vjen ai çast kur kupton se tjetri nuk është i përsosur dhe bie në krizë,” thotë ajo. Megjithëse fatmirësisht është i dyshimtë fakti nëse ndonjë çështje bashkëkohore ka një pasojë kaq dramatike nga këputja e një molle.
“Njerëzit kanë frikë të zbulojnë veten e vërtetë – çasti kur e bëjnë është ai kur edhe nis marrëdhënia.”
Mickein sheh gjithashtu paralele me lidhjet online në historinë e Kupidit dhe Psikes, një tjetër çift që ka frymëzuar breza artistësh. Psikja ishte shpirtërisht larg nga Kupidi, i cili shkonte tek ajo vetëm netëve. “Për pasojë, ajo zbulon: “ Oh Zot i madh, po bëj dashuri me zotin e dashurisë!” dhe është e ngjashme me lojën kukafshehthi në takimet online, ku njerëzit kanë frikë të zbulojnë veten e vërtetë,” , thotë Mickein. Në çastin që e bëjnë vërtet, nis edhe marrëdhënia, thotë ajo.
Koncepti i çifteve të vërtetë është shumë i lidhur me idenë e dashurisë romantike, që në të vërtetë nisi të fitojë terren rreth 1800 –ës. Përpara, struktura farefisnore apo nevoja ekonomike e politike ishte shpesh shumë më e rëndësishme sesa dashuria dhe, nëse çiftet zgjidhnin të pikturoheshin ishte, në përgjithësi, shenjë e një bashkimi social apo politik. Një pikturë si “Portreti Familjar” i Carl Friedrich Demiani –it, e vitit 1806, është intriguese sepse duket se shfaq një liri të re të martesës për dashuri.
Takimet e para
Me siguri që në ditët e sotme jemi të lirë të martohemi apo të shoqërohemi me kë të duam. Por kjo liri mund të bëhet dobësi, ndërsa hyjmë në një rrjedhë të pafundme takimesh monotone në bastin për të gjetur “Të duhurin”. Video- artistët Katharina Dacrés, Lena Heins dhe Jakob Weth imitojnë procesin torturues nga filmimet e çifteve, që ulen pranë njëri-tjetrit, ndërsa recitojnë një dialog të shpëlarë, që është dëshpërimisht, i njohur për këdo që, ka provuar të krijojë lidhje përmes një aplikacioni takimesh online.
Takimet online po kritikohen vazhdimisht për fokusin tek dukja, por gënjejmë veten nëse mendojmë se bukuria nuk ka qenë gjithmonë një element madhor i tërheqjes, ku çdo epokë ka pasur idealin e vet estetik.
Në shekullin e 19 –të, modelja italiane Vittoria Caldoni ishte aq e adhuruar nga artistët gjermanë, të cilët jetonin në Romë sa “nga apo epokë të gjitha fytyrat dukeshin si e saj”, thotë Mickein. Ndërsa piktori Anselm Feuerbach e admironte bukurinë klasike, të modeles italiane Anna Risi, aq shumë sa e pikturoi atë, të paktën 20 herë. Dhe me siguri nuk ishte personaliteti i
Sylvette David-it, që e tërhoqi Picasso-n, kur e pa në kopshtin ngjitur dhe vendosi se donte ta pikturonte. Ashtu si në botën virtuale, “thjesht gjen dikë tërheqës dhe dëshiron ta njohësh”, thotë Mickein.
Por, sigurisht bukuria është subjektive, një fakt që është shfaqur gjerësisht nga artistja fotografe turke, Eylül Aslan kur vendosi të takonte 25 burra në Tinder dhe pyeti secilin prej tyre se çfarë shihnin tërheqëse tek ajo dhe çfarë jo. Siç edhe pritej, çdo burrë dha përgjigje krejt të ndryshme nga tjetri. Aslan, me zgjuarsi i ngjiti ato në një libër që imitonte butonin e djathtë të Tinder-it, për “po” dhe të majtin për “jo” me fotografitë e pjesëve “tërheqëse” të trupit të saj që shfaqeshin në të djathtë dhe “jo tërheqëset” në të majtë.
Ideja e “vetë-dashurisë” ka zakonisht ngjyresë negative në historinë e artit, me imazhe të figurave përballë pasqyrës që përdoren për të treguar narcizizmin. Por për Mickein-in është më shumë rreth “pasqyrimit të marrëdhënieve tona, sesi e trajtojmë njëri-tjetrin dhe përballemi me nevojat tona”.
Diçka që artisti holandez Dries Verhoeven e ka gjetur soditëse, pas një periudhe të gjatë të përdorimit të aplikacioneve si Grindr. Verhoeven nuk beson se “bota online është më pak e vërtetë se ajo offline” – por ai mendon se “ata na bëjnë të paraqesim pjesë të ndryshme nga ajo çka jemi vërtet”. Online, Verhoeven ka zbuluar se fokusi priret të jetë te seksi dhe takimet rastësore, sesa tek intimiteti, pasi “shumë nga aplikacionet e lidhjeve për gay-t nuk ju inkurajojnë të jeni të brishtë dhe të paqartë,” thotë ai.
Ai nisi të pyesë veten se ç’do të ndodhte nëse përdorte “ sferën seksualisht eksplicite, për të shprehur gjithashtu nevoja të tjera.” Rezultati ishte “Do të luajmë” (Dashuria në kohët e Grindr-it), në të cilën Verhoeven kaloi dhjetë ditë brenda një kontejneri me fasadë xhami, ndërsa komunikonte me djem përmes një sërë aplikacionesh – me të cilët do të mund të takohej për të bërë aktivitete jo seksuale si të gatuanin bashkë apo të vallëzonin.
Verhoeven prej asaj kohe u bë “më kritik rreth zhvillimeve që na bëjnë të objektivizojmë dhe të konkurrojmë me njëri-tjetrin”, por pranon se megjithëse “në dietën e Grindr-it, ende e përdor, kur kërkoj për seks”.
Mish dhe gjak
Ana erotike e dashurisë ka qenë një burim pjellor frymëzimi përgjatë historisë së artit. Megjithëse artistët nuk kanë qenë gjithnjë eksplicitë, gruaja me ndarjen madhështore në pikturën e vitit 1632 të piktorit Christiaen van Couwenbergh,”Dashnorët”, na lë pak dyshim rreth qëllimeve kundrejt djalit të ri, krah saj ndërsa ajo bën gjeste drejt shtratit.
Nga fundi i shekullit të 19 –të, megjithatë, artistë u ndien më të lirë të sfidonin konvencionet. Në pikturën e vitit 1895 të Edward Munch, “Puthja”, trupat e zhveshur duket se shkrijnë në njëri-tjetrin në një përqafim pambarim.
Ky imazh do të frymëzonte më pas artisten indiane Indu Harikumar kur krijoi ilustrimet për 100 Rrëfenjat e Tinder-it. Harikumar u kërkoi njerëzve t’i dërgonin përvojat e tyre të përdorimi të aplikacionit, të cilat më pas i botoi me një ilustrim të frymëzuar prej historive. “Lidhje e Menjëhershme” , ishte rrëfenja e një marrëdhënieje virtuale që përfundoi në dhomën e gjumit, pesë minuta pasi çifti u takua për herë të parë në jetën reale dhe më pas, lulëzoi në një dashuri që zgjati.
Por është pa dyshim, vetë Venera, perëndesha e dashurisë dhe nëna e Kupidit, e cila dëshmoi të ishte muza më e madhe e artistëve, kur vjen fjala te portretizimi i dashurisë dhe dëshirës, megjithëse jeta e saj dashurore ishte larg prej idilit të përsosur.
“Venera ishte e martuar me Vulkanin, por Kupidi nuk është fëmija i tyre, ai është fryti i një marrëdhënieje jashtëmartesore me Marsin”, shpjegon Mickein. “Dashuria nuk është e thjeshtë apo e qartë. Dashuria është komplekse”, thotë ajo. Me apo pa ndihmën e internetit, asgjë nuk do e ndryshojë. Kjo mbase është arsyeja se pse nuk mund të gjendet ndonjëherë mishërim më i përsosur i dashurisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.