Politike

DASH i shpalli të atin ‘non grata’, Ornaldo Rakipi: Babai po ndërmerr çdo hap ligjor

Deputeti i Partisë Socialiste, Ornaldo Rakipi, ka folur këtë të enjte në Kuvendin e Republikës, ku është ndalur dhe te çështja e shpalljes non-grata të babait të tij, Aqif Rakipi, nga Departamenti Amerikan i Thesarit.

“Unë jam votuar dhe kam marrë besimin e mijëra qytetarëve të qarkut të Tiranës, për t’i përfaqësuar dhe për të qënë zëri i shqetësimeve dhe halleve të tyre.

Nuk ka detyrim më të madh për mua se sa ky. Dhe kam ndërmend që me gjithë fuqinë time, ta justifikoj këtë besim kaq bujar”, ka thënë Rakipi i cili shton se jo për zgjedhjen e tij, i duhet të thotë dy fjalë edhe për babain.

Ai tha se Aqif Rakipi po ndërmerr çdo hap institucional dhe ligjor, “për të çuar në vend këtë padrejtësi”.

Pasi tha se Aqif Rakipi është përmendur dhe përgojuar shpesh kohët e fundit, sidomos nga Lulzim Basha dhe ndonjë njeri i afërt me të, ai shtoi duke thënë se ka një fjalë për Lulzim Bashën.

“Mos mallko suksesin e tjetrit, por mëso se në thelb politika është marrdhënia me njerëzit. Dhe pikërisht kjo është arsyeja e dështimit tënd serial, është kjo arsyeja pse ti, edhe pse të janë dhënë shanset më të mëdha që i janë dhënë dikujt në këto 30 vite, nuk arrite të fitosh zemrat dhe besimin e njerëzve”.

Rakipi gjithashtu, duke përmendur akuzat, ftoj Bashën, median dhe çdo njeri që është i shqetësuar, të hetojë, të hulumtojë çdo ditë të aktivitetit të tij, që prej momentit të parë të angazhimit, deri sot dhe në vijim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë