Kënga “L’albero delle noci” ( Pema e Arrave) me të cilën Brunori Sas ( pesudonim i Dario Brunori) konkurron në edicionin e 75-të të Festivalit të Sanremos, nuk është thjesht një titull simbolik por një pemë e vërtetë që ndodhet pranë shtëpisë së tij në San Fili, një fshat i vogël në provincën e Kozencës.
Për Dario Brunorin, kjo pamje pastorale ka një rëndësi të madhe emocionale dhe shpirtërore, duke u bërë kështu pjesë e rrëfimit të tij artistik në skenën e Sanremos.
Një rikthim në rrënjët e tij
San Fili, me rreth dy mijë banorë, është një fshat i vendosur mes tre kodrave , mbi një mijë metra mbi nivelin e detit, me majën e malit Luta që ngrihet si një pikë referimi natyror. Ky vend ka një histori të mbështjellë me legjenda gotike dhe një traditë të fuqishme fetare, e mishëruar në Kishën Matrice të Shën Anunciatës, si dhe në kisha të tjera si ajo e Zojës së Papërlyer dhe e Shën Lucisë.
Brunori e përshkruan pemën e arrave si një lloj muzeu personal të kujtimeve dhe frymëzimit:
“Pema është para shtëpisë sime. E shikoj gjithmonë kur më vijnë mendime. Më duket sikur është ajo që më pëshpërit këngët që shkruaj.”
Në këtë këngë, Brunori trajton ndjenjat e gëzimit dhe shqetësimit që sjell një jetë e re, duke reflektuar mbi tokën, rrënjët, stinët dhe ciklin e pandërprerë të jetës.

Dario Brunori, arbëreshi që bën bashkë Kalabrinë
Edhe pse dashuria për muzikën e çoi larg vendlindjes, Brunori gjithmonë ka mbajtur një lidhje të fortë me San Filin. Pas ndarjes nga jeta të babait të tij në 2007, ai vendosi të kthehej dhe tani jeton në shtëpinë ku u rrit.
Fshatrat arbëreshe të Italisë do të mbështesin me entuziazëm Dario Brunorin në Festivalin e Sanremos. Pas një dhurate të veçantë që kantautori dhe këngëtari Dario Brunori i bëri popullit arbëresh të Italisë gjatë verës së kaluar, në festivalin “Netët e Tarantës” në transmetim direkt në RAI Uno, ku interpretoi këngën e tyre më të njohur dhe më të dashur, “Lule Lule”, ata kanë shprehur përkrahjen e tyre të plotë për pjesëmarrjen e tij në festivalin e këtij viti.
Kjo mbështetje tregon një lidhje të thellë midis Brunorit dhe komunitetit arbëresh, duke e bërë atë një simbol të bashkimit dhe ruajtjes së traditave kulturore.
Motivimi për mbështetjen masive të Dario Brunorit nga komuniteti arbëresh është i lidhur dhe me faktin se ai po sjell një pjesë të rëndësishme të historisë dhe traditës arbëreshe në skenën prestigjioze të Festivalit të Sanremos. Ky moment është një mundësi për të nderuar dhe promovuar pasurinë kulturore të Kalabrisë, e cila është thellësisht e lidhur me këtë trashëgimi.
Për këtë arsye, një ftesë është shpërndarë për F.A.A. (Federata e Shoqatave Arbëreshe të Italisë), për UNIARB (Unionin Demokratik Arbëresh) dhe për Unionin e Komunave Arbëreshe, që përfshin më shumë se 50 fshatra në shtatë rajone të Italisë jugore dhe qendrore. Ky mbështetje është një demonstrim i unitetit dhe krenarisë së komunitetit arbëresh, që është gjithmonë i gatshëm të mbështesë artin dhe kulturën e tij në çdo nivel.
Ndërkohë, bashkia e qytetit San Fili, nën drejtimin e kryetares Linda Cribari, ka organizuar një shfaqje publike të finales së Festivalit më 15 shkurt në Teatrin Komunal “F. Gambaro”, për të mbështetur artistin e tyre, të cilin e konsiderojnë “më të mirin e Sanremos”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.