Arsim

Dalja e tezave të maturës, eksperti: Fotografuesit ‘ndihmohen’ nga mësuesit dhe autoritetet

Nga Anxhela Çelanji - Provimet përfundimtare të maturës u mbyllen këtë të premte, por nuk mbetën pa zhurmë. Në çdo provim të kryer, tezat ishin në internet që në orën e parë të provimit, në mos më herët ndërkohë që maturantët ishin ende në sallën e provimit.
Fatmir Vejsiu, ekspert arsimi, i pyetur nga Gazetasi.al shpjegon se dalja e tezës së provimeve të Maturës Shtetërore apo të arsimit Bazë (provimeve të Lirimit) është bërë diçka e zakonshme në këto vitet e fundit.


“Nëse dalja do bëhej si material fizik, pra ndokush nxirrte tezën nga mjediset e provimeve, do duhej të gjenim nëpërmjet kamerave lëvizjet e personave që administrojnë provimin ose inventarizimit të materialeve të provimit”, shpjegon eksperti.
Por sipas tij problemi qëndron se tezat shpërndahen mes fotografimit, gjë që e bën më të komplikuar gjetjen e personit që e shpërndan tezën.

Fatmir Vejsiu, ekspert arsimi.

“Në dijeninë time, janë shumë persona që fotografojnë tezën. Fotografimi i saj nuk është për “hobby”, siç mund të mendosh të fiksosh një pamje të bukur. Qëllimi është që teza të dërgohet tek personi jashtë mjediseve të provimit, të zgjidhet nga një mësues i lëndës dhe testet e zgjidhura të nisen në destinacion”, shton eksperti.
Sipas Vejsiut ka një cënim të rregullores së Maturës dhe “porosive” që jepen nga lart që të kujtohen maturantët për të mos marrë celularë dhe mjete të tjera ‘smart’, për të evituar nxjerrjen e tezës para përfundimit të procesit.


Ai shpjegon se kemi shkeljen e rregullave dhe cenim të këtij akti nënligjor, i cili në përmbajtjen e tij përcakton edhe penalitetet për rastet kur cenohet mbarëvajtja e procesit.


Vejsiu shpjegon se në moshë të hershme vihet re një tendencë njerëzore (të paktën në vendin tonë), “që njerëzit duan të marrim më shumë sesa u takon”.
“Do të thotë se “fotografët” i përkasin bashkësisë së nxënësve që jo vetëm nuk dinë, por kërkojnë të krahasohen me më të mirët e vendit dhe kjo ka ndodhur realisht”, shpjegon eksperti.
Duke i mëshuar meritokracisë, Vejsiu shton se nota e provimit të maturës do ishte thjesht një stoli ne Diplomën e Maturës. Ai shpjegon se ndokush edhe mund ta tejkalonte, por në fakultete ka kriter të rëndësishëm nota.

Foto ilustruese-Maturantë që japin provim-Marrë nga interneti-Gazeta "Si"-26.06.2022.

“Në analizat që organizon Qendra e Shërbimeve Arsimore (QShA) në përfundim të një Mature, ndër ato pak gjëra që unë vlerësoj se i bën mirë, është evidentimi ‘NË SASI; i nxënësve maturantë që kanë marrë nga 2 deri në 5 nota kundrejt vlerësimit të shkollës, ose e kundërta (mos harrojmë se shqetësim është fiktiviteti, i cili nuk bëhet gjithnjë si pasojë e paaftësisë)”, thotë eksperti.

Duhen identifikuar notat e maturantëve gjatë vitit dhe në provimet përfundimtare

Eksperti shpjegon se nëse në analizë nuk mund të përmenden emrat e maturantëve si më lart, lista e tyre duhet të jetë mbi tavolinën e drejtuesit kryesor të Maturës. Kjo sipas Vejsiut së bashku me listën e administratorëve që duhet të administronin procesin me korrektësi dhe më pas ndaj tyre duhen marrë masat përkatëse.

Më tej eksperti shpjegon se të evidentosh një dukuri të tillë dhe të mos mbash qëndrim, për të gjetur administratorin, përfituesit (maturantët) dhe “fotografët” të ngarkon me përgjegjësi njëlloj si ato që kanë shkelur rregulloren e miratuar dhe hartuar nga drejtuesit.

LEXO EDHE: “Me telefon në klasë, provimet e maturës ishin kolektive”; Rrëfimet e maturantëve dhe zhgënjimi i nxënësve ekselentë


“Kam qenë kritik ndaj mënyrës së menaxhimit dhe administrimit të provimeve të maturës. Ka nga ato që kërkojnë të kthehemi aty ku kemi qenë. Mendimi im është i kundërt, madje një ish mësueseje që e ofroi këtë kthim mbrapa i jam përgjigjur në këtë mënyrë: “nuk mund të kthehesh mbrapa për faktin se nuk di të menaxhosh të renë, atë që shumë vende të Europës e zbatojnë me korrektësi, brenda legjislacionit përkatës”.
Sipas Vejsiut duhet t’i hapësh rrugë profesionistëve që dinë të bëjnë punën. Megjithatë eksperti mendon nuk duan ta bëjnë siç duhet punën, sepse dikush ia kërkon të veprojnë kështu si deri tani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë