Në momentin që dalin të dhënat personale të një personi, ka një rrezik të shtuar afatgjatë, që i prek të dëmtuarit në shumë aspekte.
Ndarja e të dhënave personale mund të çojnë në incidente që prishin disponueshmërinë, integritetin ose konfidencialitetin e të dhënave dhe sistemeve të informacionit në të cilat mbështeten aktivitetet ekonomike dhe sociale. Rrjedhimisht, reputacioni dhe madje edhe aktivitetet fizike të personave, mund të ndikohen.
Personat që shpërndajnë të dhëna personale, mund të synojnë asete të vlefshme që mund t’i shesin në tregje të paligjshme. Dhe ndërsa inovacioni bëhet më dixhital, spiunazhi dixhital ka të ngjarë të rritet më tej. Në disa raste, motivi mund të jetë politik, ose sulmet mund të jenë të ‘rregulluara’ për të dëmtuar një organizatë, një person ose një ekonomi.
Aty ku të dhënat mund të aksesohen dhe ndahen, ka më shumë gjasa të ndodhin shkelje të të dhënave personale. Ata jo vetëm që do të shkaktojnë dëm për shkak të shkeljes së privatësisë së individëve, të dhënat personale të të cilëve janë shkelur por gjithashtu mund të shkaktojnë humbje të konsiderueshme ekonomike për personin e prekur, duke përfshirë edhe humbjen e reputacionit. Përveç kësaj, dëmtimi i mëtejshëm i personit mund të rezultojë nga një shkelje e të dhënave, siç është dëmi i shkaktuar nga vjedhja e identitetit.
Shkeljet e të dhënave personale përjetohen më rrallë në krahasim me llojet e tjera të incidenteve të sigurisë dixhitale, Megjithatë, provat nga Organizata Privacy Rights Clearinghouse sugjerojnë se megjithëse numri i përgjithshëm i incidenteve të identifikuara mund të jetë relativisht i vogël në krahasim me llojet e tjera të incidenteve të sigurisë, ndikimi i tyre po rritet në mënyrë drastike pasi shkeljet e të dhënave në shkallë të gjerë po bëhen më të shpeshta.
Rreziqet e aksesit dhe ndarjes së zgjeruar shkojnë përtej sigurisë dixhitale dhe shkeljeve të të dhënave personale. Ato përfshijnë më së shumti rreziqet e shkeljes së kushteve kontraktuale dhe të dakorduara të të dhënave dhe kështu mund të sjellin edhe probleme midis punëdhënësit dhe punëmarrësit.
Edhe kur individët dhe organizatat bien dakord dhe pranojnë kushte specifike për ndarjen e të dhënave dhe ripërdorimin e të dhënave, duke përfshirë qëllimet për të cilat të dhënat duhet të ripërdoren, mbetet një nivel i konsiderueshëm rreziku që një palë e tretë mund të përdorë qëllimisht ose pa dashje, të dhënat ndryshe.
Shqetësime të tjera që përmban publikimi i të dhënave janë edhe drejtësia, respekti dhe dinjiteti njerëzor, autonomia, rreziku i njëanshmërisë dhe diskriminimit.
Humbja e kontrollit mbi të dhënat
Pasi të arrihet që të ndahen të dhënat, askush nuk ka më asnjë kontroll mbi to. Ato të dhëna do të lëvizin kudo dhe askush nuk do të mundet ti kontrollojë më, as mënyrën se si do të përdoren ato.
Për të parandaluar një situatë të ngjashme dhe për të kërkuar të drejtën e tyre, personat e dëmtuar duhet të mbështeten vetëm në zbatimin e ligjit dhe dëmshpërblimin.
Mungesa e kontrollit mbi të dhënat perceptohet si një problem madhor për këdo që preket.
Shumë kompani kanë shmangur përdorimin e disa teknologjive dixhitale si kompjuteri për shkak të shqetësimeve për humbjen e kontrollit mbi të dhënat e tyre.
Burimi: OECD iLibrary. Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.