Lajme

Dalja e Britanisë nga BE-ja shtyhet për në tetor

Pas pesë orësh bisedimesh intensive, udhëheqësit e Bashkimit Europian kanë rënë dakort për t’i dhënë Britaninë e Madhe edhe gjashtë muaj kohë për divorcin nga unioni.

Afati i ri i Brexit është tanimë më 31 tetor dhe shmang daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja pa një marrëveshje, pasi deputetët britanikë e kanë patur të pamundur arritjen e një marrëveshjeje.

Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk i bëri thirrje parlamentit britanik të mos e humbisnin këtë kohë. Theresa May tha nga ana tjetër se Britania e Madhe synon të largohet nga BE-ja sa më shpejt që të jetë e mundur.

Mbretëria e Bashkuar tani gjendet përballë dy zgjedhjeve: të marrë pjesë në zgjedhjet europiane në maj ose të largohet më 1 qershor pa një marrëveshje.

Konkluzionet e samitit të BE-së thonë se Britania “duhet të mos rrezikojë asnjë nga projektet kyçe të BE-së. Ky kusht thuhet se synon të parandalojë Britaninë nga ushtrimi i fuqisë së vetos mbi iniciativat në Bruksel, gjatë periudhës shtesë për Brexit-in.

Udhëheqësit e BE-së planifikojnë të takohen sërish në qershor për të vlerësuar situatën.
Tanimë Mbretëria e Bashkuar mund të largohet nga BE-ja para 31 tetorit, nëse May arrin të bindë shumicën në Parlamentin britanik që të mbështesë marrëveshjen për Brexit që ajo ka negociuar me BE-në, vitin e kaluar.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se Brexit-i pa marrëveshje do të ishte “një katastrofë totale” dhe se Brukseli do të bëjë gjithçka të mundur për të shmangur skenarin pa marrëveshje.

“Do të kemi Brexit me marrëveshje”, tha ai.

May dhe udhëheqësit e BE-së u mblodhën në Bruksel në përpjekje për të parandaluar daljen e Britanisë nga BE-ja më 12 prill pa një marrëveshje zyrtare, pasi Parlamenti britanik e ka refuzuar dokumentin e May tri herë.

“Britania duhet të ishte larguar tashmë nga BE-ja dhe sinqerisht më vjen keq që nuk kam qenë ende në gjendje ta bind Parlamentin që ta miratojë marrëveshjen”, tha May.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e mbështeti shtyrjen e afatit kohor me gjashtë muaj, por doli kundër përpjekjeve të Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së për të ofruar shtyrje për një vjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë