Lajme

Dalin sot fituesit e parë për në universitet publike

Fakulteti Ekonomik do të publikojë sot në faqen e tij zyrtare listat e maturantëve fitues të fazës së parë. Lajmin e bëri me dije dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule.
Ai tha se më 2 shtator deri më 15 shtator nis faza e parë e regjistrimit për fituesit e fazës së parë.
“Sot publikohen listat e maturantëve fitues të fazës së parë. Deri në 30 gusht maturantët do t’i shohin rezultatet. Nëse konfirmohen pasaktësi ka të drejtë ankimimi deri më 30 gusht. Nga 31 gusht deri më 1 shtator shpallen rezultatet e ankimimeve. Raundi i parë fillon me 2 shtator – 15 shtator. Ka 7 faza, kështu që maturantët të mos shqetësohen që fazën e parë apo të dytën nuk e shohin veten fitues”, u shpreh dekani i Fakultetit të Drejtësisë.
Kule u shpreh optimist lidhur me numrin e aplikimeve në Fakultetin e Ekonomisë. Sipas Kules, këtë vit kanë aplikuar 1200 aplikantë më shumë se një vit më parë.

“Numri i aplikantëve në total është 21. 523”, u shpreh ai.

Kule ndër të tjera tha se është operuar edhe me aplikimin e projekteve të Bashkimit Europian.
“Maturantët e rinj do të kenë mësimdhënie në gjuhën angleze për programet Erasmus”, tha ndër të tjera Kule.
Edhe Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha, tha se është rritur numri i maturantëve që kanë aplikuar për të ndjekur studimet për drejtësi. Sipas tij risi do të jetë programi “Master i Integruar 5-vjeçar”.
“Fakulteti i Drejtësisë fillon me programin e ri “Master i Integruar 5-vjeçar”. Vazhdojmë të kemi numër të lartë aplikimesh për të studiuar në Fakultetin e Drejtësisë. Nuk duhet të ketë frikë te studentët nëse nuk e shohin emrin fitues në dy fazat e para, pasi mund të konkurrojnë sërish në fazat e tjera. Kandidatët duhet të shohin rregullin e zhvillimeve të raundeve”, u shpreh Hoxha.
Ndër të tjera, dekani Hoxha tha se Fakulteti i Drejtësisë është kthyer në një qendër të kërkimit shkencor.
“Ne kemi operuar në aplikimin e projekteve të Bashkimit Europian. Fakulteti i Drejtësisë është kthyer në një qendër të kërkimit shkencor, është një fushë që nuk e kishim eksploruar më përpara. Një element tjetërë është riorganizimi i ciklit të tretë të studimeve”, u shpreh dekani i Fakultetit të Drejtësisë.
Ndërkohë, sot është dhënë provimi i Gjuhës së Huaj nga maturantët mbetës.
Provimi i Gjuhës Shqipe do të jepet më 30 gusht, ndërsa në datën 3 shtator maturantët do t’i nënshtrohen testit të Matematikës dhe në datën 6 shtator Provimit me Zgjedhje.
Procesi do të jetë po i njëjtë dhe shkalla e vështirësisë po ashtu. Ata që do të kalojnë provimet dhe do ta kenë mesataren mbi 6.5 mund të aplikojnë për në universitet në raundin e dytë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë