Janë dashur 4 javë gërmime për të nxjerrë në dritë gjurmë të reja dhe të dhëna për qytetin ilir në Bushat të Shkodrës.
Gërmimet u drejtuan nga prof. as. Saimir Shpuza i Institutit të Arkeologjisë në Tiranë dhe Prof. Piotr Dyczek nga Universiteti i Varshavës në Poloni, në bashkëpunim me arkeologun e DRTK Shkodër, Helidon Sokoli.
Pas fushatave të mëparshme ku u zbuluan dy porta hyrëse të qytetit dhe u lejua të kuptohej shtrirja e tij, gërmimet e këtij viti janë përqendruar në qytetin e sipërm dhe kanë për qëllim zbulimin e organizimit të brendshëm të urbanistikës së këtij qyteti.
Misioni kërkimor po nxjerr në dritë se kjo pjesë e qytetit të sipërm ka qenë e ndërtuar masivisht që në gjysmën e shek 4 p.k., sipas datimeve paraprake.
Aktiviteti në terren, ka për qëllim zbulimin e plotë të planimetrisë së këtyre ndërtimeve dhe më pas të arrijë të identifikojë rolin që ato kanë patur.
Kërkimet shqiptaro-polake në Bushat janë parashikuar të vazhdojnë për disa vite në përpjekje për të zbuluar sa më shumë nga forma dhe historia e këtij qyteti. Tashmë falë bashkëpunimit mes Misionit Arkeologjik dhe DRTK Shkodër, po hartohet dosja teknike për shpalljen “Zonë e mbrojtur arkeologjike” A dhe B, duke plotësuar kështu hartën arkeologjike të arealit të Shkodrës edhe me një qytet antik dhe sit arkeologjik të vizitueshëm në të ardhmen.
Misioni Shqiptaro-Polak i cili që nga viti 2011 hulumton në gjurmët e Shkodrës antike, ndër vite ka nxjerrë në dritë zbulime dhe artefakte të rëndësishme mbi shtrirjen e qytetit, urbanizimin e sistemin mbrojtës të qytetit në pjesën e ulët të tij./ATSH/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.