Rend dhe Ligj

Arrestimet tek AKBN, policia: Në pranga dhe inspektorë të Tatimeve

Pesë zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore u arrestuan mbrëmjen e djeshme nga policia, ndërsa një tjetër është lënë në “arrest shtëpie”.

Në njoftimin e saj zyrtar, policia thotë se njëri prej tyre mban post drejtues si dhe të tjerë janë inspektorë të këtij institucioni.  

Në pranga ka përfunduar drejtori i Drejtorisë Ekonomike tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Denis Durrsi për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Të tjerë të arrestuar janë Simon Marku, me detyrë inspektor tek Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë, për veprën penale “Moskryerjes së detyrave nga organet tatimore”, Arben Doda, me detyrë inspektor tek Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë, për veprën penale “Moskryerjes së detyrave nga organet tatimore”, Naim Kasa, biznesmen, për veprat penale “Mashtrim me pasoja të rënda kryer në bashkëpunim”, “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë” dhe “Fshehja e të ardhurave” dhe Qani Hoxhaj me detyrë inspektor tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Ndërsa Rezarta Qose është në arrest shtëpie.

Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka shpallur në kërkim edhe biznesmenin Isuf Berberi, aksioner i kompanisë “Fufarma” dhe Klodian Gradeci, ish-drejtor i OST, që ka qenë në postin e Drejtorit të Hidrokarbureve në AKBN në kohën kur janë konstatuar shkeljet.

Hetimet me autoritetet amerikane që zbuluan skemën sesi iu shkaktua 1.5 mln USD dëm shtetit shqiptar

Hetimet disamujore që çuan në arrestimin e 6 zyrtarëve të administratës shtetërore dhe shpalljen në kërkim të 2 personave të tjerë nisën pas një kallëzimi nga Drejtori i Përgjithshëm i Albpetrol.

Hetimet zbuluan se shoqëria “Phoenix Petroleum” që drejtohej nga Naim Kasa dhe Isuf Berberi, e cila me Marrëveshje Hidrokarbure të miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe të ndjekur për ecurinë e saj nga AKBN ka shfrytëzuar disa puse nafte. Me qëllim plotësimin e detyrimeve për Programin Minimal të Punës dhe në kushtet kur këto investime nuk janë kryer, kjo shoqëri ka paraqitur në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore 8 fatura të falsifikuara për shërbime, të cilat në fakt nuk janë përfituar nga kompania amerikane Black Swan Energy Service.

Falsiteti i këtyre faturave është konfirmuar nga autoritetet gjyqësore amerikane dhe vlera totale e tyre është 1,299,000 USD.

Punonjësit e AKBN të arrestuar Denis Durrsi, Qani Hoxhaj, Rezarta Qose dhe Klodian Gradeci, aktualisht në kërkim, kanë certifikuar në mënyrë të kundërligjshme punimet e pakryera të pasqyruara në këto fatura si punime të kryera. Po kështu, punonjësit e administratës tatimore Arben Doda dhe Simon Marku kanë përpiluar një raport kontrolli në kundërshtim me ligjin duke bërë të mundur që kjo administratë të pësojë një dëm ekonomik prej 568.000 USD.

Dëmi që ka pësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë AKBN nga veprimet e kundërligjshme të punonjësve të saj është 1.427.766 USD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë