Ministria e Arsimit ka firmosur dokumentin me datat për provimet e sesionit të dytë të maturës shtetërore.
Provimet do të nisin më datë 25 gusht dhe përfundojnë në 7 shtator me provimin e lëndëve me zgjedhje.
Maturantët që nuk kaluan dot vitin shkollor e të tjerë që mbetën në njërin prej provimeve do të kryejnë provimet për tu ribashkuar në garën për të vijuar më tej universitetin.
Si përbërja, kohëzgjatja ashtu dhe administrimi i tyre është i njëjtë me provimet e sezonit të parë.
Për tri provimet e para me detyrim ata kanë në dispozicion 2 orë e gjysmë. Testi për secilin nga provimet përmban 25 pyetje, nga të cilat 13 me përgjigje alternative që vlerësohen me 13 pikë dhe 12 pyetje me zgjidhje me në total 37 pikë. Tezat do të hartohen nga ekspertët e qendrës së shërbimeve arsimore dhe do të korrigjohen po nga ata.
Për mbarëvajtjen e provimit në datat e përcaktuara, nga shpallja e datave, mjediset dhe orën e provimit, duhet të kujdesen zyrat arsimore vendore.
Përpara se t’u drejtohen mjediseve për provime, të rinjtë mund të njihen me programet orientuese, prej nga ku mund të mësojnë disa nga çështjet më me rëndësi që do të trajtohen në secilën prej tezave.
Sipas QSHA, është një fond me mijëra pyetje, nga të cilat zgjidhet elektronikisht teza finale.
Të drejtë për t’u rifutur në provimet e vjeshtës e kanë katër kategori: ata që rezultojnë mbetës në një ose disa provime gjatë sezonit të parë në muajin qershor; ata që nuk arrijnë të kalojnë me sukses vitin shkollor, pasi rezultuan mbetës në një ose dy lëndë; maturantët e vjetër të cilët kanë përfunduar shkollën e mesme dhe nuk kanë shlyer detyrimet e maturës shtetërore si dhe ata që kanë përfunduar gjimnazin jashtë vendit, pasi të kenë njehsuar dokumentet shkollore nga ministria e arsimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



