Njerez

“Shqiptarët i marrin tregun e drogës vietnamezëve. ‘Kushot’ mësojnë si rriten trëndafilat”

Të rinj shqiptarë vënë në risk jetën e tyre për të mbërritur në tokën angleze. Me kamionë apo gomone, shumë prej tyre kanë mundur të arrijnë ilegalisht në Britaninë e Madhe, ku mediat vendase i dedikojnë vazhdimisht artikuj mbi kalimet ilegale apo veprimtarinë kriminale të të rinjve shqiptarë atje.

Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) tha se “profesionalizmi i pamëshirshëm” që kanë sjellë shqiptarët në kultivimin e kanabisit, u ka mundësuar atyre të zhvendosin vietnamezët si ofruesit kryesorë vendas të drogës në Britani.

Bandat shqiptare të specializuara më parë për kokainën u transferuan tek kanabisi sepse ishte “me rrezik shumë, shumë më të ulët”.

Kanabisi sjell një fitim të mirë për shkak të kërkesës së lartë. Britanikët konsumojnë 240 ton drogë, me vlerë 2.4 miliardë paund në vit dhe ky aktivitet nuk kërkon transport të rrezikshëm ndërkufitar sepse është një prodhim vendas, sipas NCA.

Ata janë rekrutuar si punëtorë në “fermat” ilegale të kanabisit të ngritura nëpër shtëpi me qira ose ndërtesa industriale të pashfrytëzuara për të prodhuar bimë kanabisi me vlerë deri në 2 milionë paund, të cilat mund të rriten dhe korren në vetëm 12 javë.

Kjo rritje në industrinë e prodhimit të kanabisit është zbuluar nga një investigim i fshehtë në një kanal sekret në shërbimin e koduar të mesazheve, Telegram. Ai përdoret nga më shumë se 700 shqiptarë për të shkëmbyer informacione mbi operacionet e tyre të kanabisit.

Bisedat midis anëtarëve të grupit përqendrohen tek kimikatet më të mira për rritjen e bimëve, mënyrën më efektive për të korrur kanabisin, mënyrën e sigurimit të pronave për prodhimin e drogës dhe madje edhe pse harqet janë më të mira se armët për të mbrojtur të korrat e tyre nga bandat rivale.

Anëtarët e grupit rrëfejnë aty edhe grabitjet ku punëtorëve të “fermës” së kanabisit u janë prerë gishtat dhe pronarëve u kanë kërkuar shumë pesëshifrore të fitimeve.

Rritja e numrit të shqiptarëve që kaluan Kanalin në vitin 2022, kur 12.685 persona arritën në Britaninë e Madhe me varka të vogla, ka siguruar një furnizimin të gatshëm punëtorësh të paligjshëm, të aftë në teknologjinë hidroponike që kërkohet për të rritur bimët në dhomat e errëta të shtëpive ku të gjitha dritaret janë të vulosura.

Kjo ka çuar në rritjen e fokusit të policisë në prodhimin vendas të kanabisit.

Rreth 29 shqiptarë u dënuan vetëm në korrik për prodhim të paligjshëm të drogës. Kjo u pasua nga 24 shqiptarë të tjerë që u paraqitën para gjykatave në gusht. Kjo përfaqëson gati 1 shqiptar në ditë.

Rreth 101 emigrantë shqiptarë të paligjshëm u dënuan me më shumë se 300 vjet burg në 3 muaj e fundit të vitit të kaluar. Tre të katërtat e tyre u dënuan për vepra të lidhura me prodhimin e kanabisit në të gjithë Anglinë dhe Uellsin në “shtëpi bari”.

Shumë nga emigrantët e paligjshëm u rekrutuan nga bandat pasi një aksion i qeverisë kundër punës në të zezë e bëri të vështirë për ta gjetjen e punës.

Gjobat për bosët që punësojnë emigrantë të paligjshëm janë trefishuar deri në 60 mijë £ për punëtor duke i lënë ata jashtë bizneseve.

Policia është e shqetësuar se Telegrami është bërë një platformë e përshtatshme për kriminelët. Ka 900 milionë përdorues, por vetëm rreth 100 punonjës.

Pavel Durov, themeluesi i Telegram me origjinë ruse, u arrestua në Francë këtë verë për dështim e tij për të luftuar përdorimin e platformës së tij për krime, duke përfshirë edhe përhapjen e materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve.

Kanali i shqiptarëve ka emrin “Kusho”, që do të thotë “kushëri” dhe është pseudonimi që shqiptarët përdorin për t’iu drejtuar njëri-tjetrit.

Aktualisht ka 703 anëtarë që ndajnë informacione se si të prodhohet sasia maksimale e kanabisit, nga mbjellja e farave, tek rritja e bimëve.

Postimet në kanal u mblodhën nga një reporter shqiptar i cili u infiltrua në grup. “Të gjithë, ju duhet të dini si të rrisni “trëndafila”, thotë një nga organizatorët e kanalit.

Një tjetër anëtar renditi 6 kimikatet kryesore që kishin rezultuar më efektive për rritje të shpejtë dhe të shëndetshme.

Një video demonstronte mënyrën më të mirë për të prerë gjethet thata nga një bimë kanabisi, ndërsa një anëtar tjetër me pseudonimin “Bushi 06”, ofronte fidanë kanabisi për 5£ dhe mburrej se kishte shitur 700 copë deri më tani.

Në diskutimet mes shqiptarëve se si të mbronin “fermat”, njëri shpjegon se ishte më mirë të shpenzoje 337 £ për një hark me fuqi të lartë sesa për një armë, sepse kapja me një hark kishte një dënim më të vogël. Disa dukeshin më pak të shqetësuar se policia do të zbulonte plantacionet e tyre të paligjshme sesa nga sulmet dhe grabitjet nga bandat rivale.

“Shumica e grabitjeve në shtëpitë e kanabisit po ndodhin në Leicester. I kanë prerë gishtat një punëtori shqiptar”, – thotë një anëtar i grupit. “Policia nuk është problem i madh” – thotë një shqiptar me bazë në Londër duke përdorur pseudonimin “Deni”. “Problemi kryesor janë grabitësit që tani po përdorin dronë për të identifikuar shtëpitë. Ata zbulojnë nxehtësinë e bimëve përmes çative të shtëpive”, shton ai.

Të tjerë ankohen se pronarët po i paguanin pak për përdorimin e pronave të tyre ose kërkonin një ulje të fitimeve.

“Pronarët në Londër po paguajnë 4000 £ në muaj për një shtëpi. Nuk ia vlen fare”, – thotë njëri. Një tjetër shkruan: “Deri më tani kam investuar 31 000 £ në një shtëpi, duke përfshirë 12 mijë për mbylljen e saj dhe 12 mijë për dritat. Nuk e di nëse do m’i kthejë paratë. Agjencia që kam marrë me qira shtëpinë po kërkon 9000 paund kur produkti të jetë gati për korrje.”

Verën e kaluar, policia nisi operacionin “Mille” për të goditur fermat e kanabisit në Mbretërinë e Bashkuar.

Mes të burgosurve ishte Nard Nidri, 34 vjeç, i cili hyri ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2022 dhe jetoi në Birmingham.

Më pas u transferua në Swansea, ku punoi në një lavazh makinash, përpara se të rekrutohej në një fermë kanabisi.

Ai ishte një nga 4 “kopshtarët” e burgosur për një total prej 6 vjetësh në gusht, pasi policia i arrestoi në një pronë në Neath, në Uellsin jugor.

Dy dhoma dhe papafingo ishin përshtatur dhe izoluar për të rritur bimë me një vlerë prej 85 000 £. Duke i dënuar ata, gjykatësi Geraint Walters tha se fermat e kanabisit që drejtoheshin nga bandat kriminale shqiptare kishin arritur “nivele epidemike” dhe sipas gjykimit të tij “ishin kthyer në një industri”.

Ai sugjeroi që autoritetet të shikojnë sektorin e banesave me qira, duke vënë në dukje se teksa të ashtuquajturit “fermerë” të kanabisit shpesh paraqiteshin në gjykatë, pronarët dhe të tjerët që merrnin para nga qiraja e pronave që përdoreshin për mbjelljen e bimëve, rrallë e bënin këtë./DailyMail


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë