Gazeta Si – Ali Daei është një nga personazhet e famshme që mbështetën protestat kombëtare të popullit iranian, që shpërthyen pas vrasjes së 22-vjeçares Mahsa Amini. Dhe ky qëndrim i ka kushtuar jo pak ish-futbollistit të Bajernit të Mynihut.
Autoritetet iraniane kanë detyruar një avion të ‘Mahan Air’ që ishte nisur nga Teherani drejt Dubait që të ulet në ishullin e Kish. Në bordin e këtij avioni ishin gruaja dhe vajza e Ali Daei, i kërcënuar shpesh kohët e fundit pasi doli në krah të protestuesve.

Sipas sitit ‘Iran International’, familjarëve të ish-futbollistit të njohur u është ndaluar të largohen nga vendi. Lajmi është konfirmuar edhe nga vetë Daei, i cili ka thënë: “Autoritetet iraniane kanë detyruar familjen time të zbresë nga avioni, por nuk i kanë arrestuar.
Nuk e kuptoj këtë sjellje. Gruaja dhe vajza ime hipën legalisht në avion në Teheran. Kishin në plan të vizitonin Dubain për disa ditë dhe pastaj të ktheheshin në Iran. Avioni u detyrua të kthehej bashkë me të gjithë pasagjerët. Ishin në ndjekje të ndonjë terroristi?”
Sipas agjensive iraniane të shtypit, ‘Tasnim’ dhe ‘Isna’, gruaja e Ali Daei nuk mund të largohej nga Irani “sepse ka shtyrë njerëzit të marrin pjesë në grevën kombëtare”. Këshilli suprem për sigurinë kombëtare e kishte ndaluar të ikte nga Teherani me një urdhër ekzekutiv.
Ali Daei, një figurë legjendare e futbollit iranian, ka shënuar më shumë se 100 gola me fanellën e kombëtares. Ai ka luajtur në Gjermani me Arminia Bielefeld, Bajern Mynih dhe Herta Berlin. Javët e kaluara ai ishte mes sportistëve të parë që u rreshtuan kundër represionit të regjimit iranian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



