Arben Çuko dhe Arben Ndoka, që të dy ish-deputetë të Partisë Socialiste përfunduan në prangat e policisë këtë të dielë, por në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama shprehu keqardhjen vetëm për njërin prej tyre.
“Keqardhje për A.Çukon, por për ne s’ka dy qëndrime në raport me ligjin,ka vetëm një; s’ka dy qasje në raport me drejtësinë, ka vetëm një;s’ka dy fytyra në raport me qytetarët, ka vetëm një! Ne s’jemi e kurrë s’do jemi njësoj si të tjerët. Ne gjithnjë kemi vetëm një krah: DREJTESINE!”, shkruan Kryeministri.
Por, për opozitën, Kryeministri është po aq bashkëfajtor sa ish-deputetët e arrestuar.
“Keqardhje për Arben Çukon? Pse? Se e ktheu burgun në dispeçerinë e trafiqeve duke u marrë pare trafikantëve të burgosur për t’u futur celularet që të vazhdonin trafiqet nga burgu?Kjo është “ana e DREJTËSIË”?E vërteta është që pasi ka marrë vesh se ia kanë kapur, e shkarkoi që të arrestohet nga “jashtë familjes sonë te madhe”, njësoj si Saimir Tahiri vetëm se ky është i sakrifikueshëm!Të shohim ç’do të thotë për koordinatorin e PS Lezhë, Arben Ndokën, që mesa duket i ka ndodhur një “lapsus adoleshencial” tjetër”, reagoi deputeti i PD-së, Gent Strazimiri.
Jorida Tabaku thotë se koha po u jep të drejtë akuzave të opozitës.“Grupi PS 2013-2017, pak nga pak po zhvendoset te burgu 313”, thotë ajo.
Por, ka nga ata zëra që i interpretojnë arrestimet si justifikime për të mos kapur të ashtuquajturit “peshqit e mëdhenj”.
“Me arrestime “peshqish të ngordhur” nuk mund të justifikohen mosarrestimet e përbindëshve të krimit!Nuk jua lan dot zhulin burgosja as Arben Ndokës e as Arben Çukos, të cilët duhet të ishin arrestuar kohë më parë, meqë ra fjala”, deklaron ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.
Ai thotë se trafikantë droge, bashkëpunëtorët e tyre në shtet, penguesit e drejtësisë, zhdukësit e provave e dëshmitarëve, fabrikuesit shtetërorë të provave, koncensionarë që pastrojnë paratë e qeveritarëve, grabitës të pronës e pasurive publike, marrësit e borxhit publik, pa harruar aspak dhunuesit e kushtetutës që duan të falin hapësirën detare Greqisë për 1 milion Euro, janë ende të lirë.
“Jo vetëm me dy, por me një qamet standartesh është sjellja zyrtare e Rilindasve!Kur flasin dhe për drejtësi, të hapin barkun! Ndërkohë, ata vetë e kanë shkelë ligjin me të dy këmbët.E kanë shkelë shumë më rëndë se ato që arrestuan sot për t’i hedh hi syve publikut.Skandalet që priten të bëhen publike nuk mund t’i sfumojnë me këto arrestime.Zullumi është trashur shumë”, shton ai më tej.
Por, për Kryeministrin Edi Rama nuk ka rrugë tjetër. Ai flet për politikanë që po dëshpërohen nga lufta kundër krimit.
“Atyre që bëjnë politikë me krimin, lufta kundër krimit u rrit dëshpërimin. Sa më fort do ta godasim krimin, aq më e dëshpëruar do të bëhet kundërvënia e tyre! Ne do ta bëjmë këtë vend të pajetueshëm për kriminelët dhe të pashpresë për ata që me krimin bëjnë politikë”, shkruan ai në një postim të dytë në Tëitter, duke u zotuar që ta çojë deri në fund.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.