Sjellja dhe vendimet tona mund të ndryshojnë me ndryshimin e stinëve. Truku është të mësoni të përfitoni sa më shumë nga ky ndryshim natyror.
Pas shkëlqimit të festimeve, janari mund të ndihet si muaji më i errët për shumëkënd.
Nuk janë vetëm emocionet tona ato që ndikohen. Një punim shkencor i kohëve të fundit, i botuar në revistën Perspectives on Psychological Science, eksploron mënyrat e shumta që stinët mund të ndikojnë në trurin tonë, nga dëshirat seksuale te inteligjenca dhe aktiviteti ynë shoqëror.
Ekzistenca e depresionit të dimrit, i njohur si “Çrregullimi emocional Sezonal” është tashmë i mirëpranuar. Simptomat përfshijnë një trishtim ose ankth të vazhdueshëm që zgjat të paktën dy javë, një ndjenjë e mungesës së shpresës dhe ndjenjës së pavlefshmërisë, mungesë energjie, ngrënie dhe gjumë i tepërt.
Shumë njerëz mund të përjetojnë një mungesë humori, pa plotësuar të gjitha kriteret për një diagnozë klinike të çrregullimit emocional sezonal.
Kjo melankoli e përgjithshme është e përhapur gjerësisht. Në fillim të viteve 2010, studiuesit nga Universiteti Cornell në Itaca, Nju Jork, analizuan përmbajtjen e 509 milionë postimeve në Twitter nga 84 vende. Ata gjetën një lidhje midis ndryshimit të orëve të ditës dhe përmbajtjes emocionale të postimeve: ndërsa ditët shkurtoheshin, përdoruesit prireshin të përdornin më pak fjalë pozitive.

Ka shumë shpjegime të mundshme për këtë. Një teori popullore është se nivelet e reduktuara të dritës ndërhyjnë në orën biologjike të trupit, njohur si “ritmi cirkadian”, i cili nga ana tjetër mund të dëmtojë neurotransmetuesit që janë të përfshirë në përpunimin emocional.
Kjo ka frymëzuar terapinë me dritë, e cila përdor llamba të veçanta që imitojnë Diellin për të rirregulluar orën e trupit, megjithëse një hulumtim në vitin 2019 arriti në përfundimin se provat për efektivitetin e saj si një trajtim parandalues ishin të kufizura.
Hulumtimet e fundit sugjerojnë se edhe mendësia jonë mund të luajë një rol.
Studiuesit pyetën pjesëmarrësit nga rajone të ndryshme të Norvegjisë për qëndrimet e tyre ndaj dimrit. Për shembull, atyre iu kërkua të vlerësonin deklarata të tilla si “dimri është një kohë veçanërisht e bukur e vitit”; “Unë e dua komoditetin e muajve të dimrit”; dhe “Më pëlqen drita e butë që kemi gjatë muajve të dimrit”.
Studiuesit zbuluan se njerëzit që pajtoheshin plotësisht me këto deklarata prireshin të përballonin shumë më mirë të ftohtin dhe errësirën, me emocione më pozitive gjatë muajve të dimrit.
Një mentalitet i ndryshuar sigurisht nuk mund të jetë një kurë për njerëzit që trishtohen gjatë dimrit por ekspertët sugjerojnë që shumë njerëz mund të mposhtin trishtimin e janarit duke menduar për karakteristikat pozitive të dimrit, si bukuria natyrore.
Mendësia mund të luajë një rol në shumë fenomene të tjera. Njerëzit me çrregullime ankthi, për shembull, kanë më shumë gjasa të përfshihen në forma të të menduarit që fokusohen në elementët më negativë dhe më të frikshëm të një skenari. Terapia konjitive e sjelljes mund t’i ndihmojë njerëzit të kenë një pamje më të ekuilibruar të situatës, duke çuar në një përmirësim të përgjithshëm të shëndetit të tyre mendor. Ka disa dëshmi se kjo terapi e të folurit mund të jetë gjithashtu e dobishme kundër çrregullimit emocional sezonal.
Kujtesa dhe përqendrimi
Nëse keni vënë re ndonjëherë që ‘mprehtësia’ mendore po pakësohet me dritën e ditës, mund të mos jeni të vetëm. Sanne Mooldijk në Qendrën Mjekësore të Universitetit Erasmus në Roterdam, Holandë, dhe kolegët e saj, kohët e fundit analizuan të dhënat nga një studim i madh gjatësor me më shumë se 10,000 pjesëmarrës të moshës 45 vjeç e lart. Ata zbuluan se ata që u vlerësuan në dimër treguan performancë pak më të keqe në matjet e të mësuarit, kujtesës dhe përqendrimit, krahasuar me pjesëmarrësit të vlerësuar në verë.
Performanca e dobët njohëse mund të jetë pasojë e ndjenjave përgjithësisht depresive të njerëzve, duke qenë se njerëzit e kanë më të vështirë të mendojnë kthjellët ndërkohë që ndjehen të lodhur dhe të pa motivuar.
Një mundësi tjetër është se çrregullimi emocional reflekton një mungesë të vitaminës D gjatë dimrit, e cila mendohet se ndihmon shëndetin e trurit. Vitamina D prodhohet nga trupi kur lëkura jonë është e ekspozuar ndaj rrezeve të diellit, dhe ndërsa ne gjithashtu mund të thithim lëndët ushqyese nga disa ushqime, është shumë e vështirë të marrim mjaftueshëm vitaminë D vetëm nga dieta jonë. Ditët e shkurtra të dimrit, të kombinuara me më pak mot të këndshëm, do të thotë që shumë njerëz mund të luftojnë për të marrë mjaftueshëm vitaminë D.
Hetimi i këtij mekanizmi themelor mund t’i ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë pse ka një rritje të diagnozave të demencës gjatë të njëjtës periudhë. Rënia e lehtë e mprehtësisë mendore gjatë dimrit mund të përforcojë simptomat ekzistuese të rënies njohëse, duke bërë që më shumë njerëz të përmbushin kriteret klinike për demencën.
Edhe socialiteti dhe seksualiteti preken
Ne mund t’i konsiderojmë përshkrimet e sjelljes si “të ngrohta” dhe “të ftohta” si thjesht metaforike, por provat e reja sugjerojnë se këto fjalë mund të pasqyrojnë lidhjet e lashta midis temperaturës së ambientit dhe lidhjes shoqërore.
Sipas teorisë së “termorregullimit social”, ne kemi evoluar për t’i parë të tjerët si burime të ngrohtësisë fizike dhe rehatisë. Në këtë mënyrë, ne jemi të ngjashëm me pinguinët dhe shumë krijesa të tjera që natyrshëm grumbullohen së bashku për të ndarë nxehtësinë e trupit të tyre.
Nëse kjo teori është e vërtetë, atëherë temperaturat më të ulëta duhet të na shtyjnë të kërkojmë një lidhje më të madhe sociale. Për të testuar këtë parashikim, një ekip i udhëhequr nga Hans IJzerman në Université Grenoble Alpes, Francë, u kërkoi pjesëmarrësve të mbanin pije të nxehta ose të ftohta ndërsa plotësonin pyetësorë të ndryshëm që hetonin përmbajtjen e mendimeve të tyre. Ai zbuloi se ata që konsumonin pije të ftohta kishin shumë më shumë gjasa të mendonin për njerëzit e afërt, njerëz që do të plotësonin nevojën e tyre për lidhje shoqërore, sesa ata që mbanin pije të nxehta.

Dëshmi të mëtejshme vijnë nga zakonet tona të shikimit të filmave. Të dhënat nga filmat në internet zbulojnë se njerëzit kanë më shumë gjasa të zgjedhin filmat romantikë në vend të zhanreve të tjera kur temperatura bie, një zbulim që është përsëritur në eksperimente të shumta laboratorike. Një film që ngroh zemrën me sa duket përmbush dëshirën tonë të evoluar për ngrohtësi emocionale dhe dashuri të nxitur nga i ftohti jashtë.
Aktiviteti ynë seksual ndjek një cikël më kompleks. Sipas një studimi nga Universiteti Villanova në Pensilvani dhe Universiteti Rutgers në New Jersey, të dyja në SHBA, përdoruesit e Google kanë më shumë gjasa të kërkojnë pornografi në mes të dimrit dhe në fillim të verës. Ata gjithashtu kanë më shumë gjasa të kërkojnë faqe interneti takimesh në dimër. Edhe në këtë rast, ka të ngjarë të përfshihen shumë faktorë, por duket e arsyeshme të spekulohet se kulmi i dimrit mund të pasqyrojë pjesërisht dëshirën tonë për kontakt më të madh njerëzor. Cilido qoftë shpjegimi, kjo ka pasoja shëndetësore në botën reale, me studime të mëtejshme që zbulojnë një rritje të infeksioneve seksualisht të transmetueshme gjatë të njëjtës periudhë.
Me kërkime të mëtejshme, shkencëtarët mund të identifikojnë shumë më tepër cikle në sjelljen njerëzore që rezultojnë nga ndërveprimi kompleks i biologjisë dhe kulturës. Dhe me këtë njohuri më të madhe, ne mund t’i llogarisim më mirë këto ndryshime në sjelljen tonë, duke ‘kultivuar’ një mentalitet më pozitiv, duke i falur vetes momentet e trishtimit dhe duke bërë plane më konkrete për të përmbushur nevojat sociale. kështu ne të gjithë mund të ndërmarrim hapa për të mposhtur trishtimin e janarit dhe për të përfituar sa më shumë nga viti i ri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




