Sport

Crawford hyn në histori! Mposht Spence Jr në duelin mes të pathyeshmëve

Gazeta Si – Sfida e madhe mes dy sportistëve të pathyeshëm ka përfunduar me fitoren e “Bud”, që tashmë ka unifikuar të gjithë gjerdanët e kategorisë.

Terence Crawford është kampioni i parë i boksit që ia ka dalë të unifikojë të gjithë gjerdanët botërorë të peshave ‘welter’ që kur ekzistojnë siglat kryesore (WBA, WBO, IBF). Ai është boksieri më i mirë ‘pund for pound’ (mes të gjitha kategorive) në qarkullim. Një fenomen i vërtetë.

E ka certifikuar të tillë ndeshja e vitit, për shumë edhe ndeshja e 10-vjeçarit. Crawford triumfoi në ringun e Las Vegasit me ‘ko’ teknik në raundin e 9-të kundër Errol Spence Jr. Një sfidë epokale, mes dy boksierësh ta pathyeshëm: 67 fitore dhe 0 humbje rekordi impresionues i tyre. Krahasohen me Sugar Ray Leonard dhe Thomas Hearns në 1981-shin, apo Floyd Mayweather dhe Manny Pacquiao në 2015-ën. Më e mira që mund të ofrojë sot boksi.

Nga dueli mes Terence Crawford dhe Errol Spence Jr. Gazeta Si, 30 korrik 2023

Në ‘T Mobile Arena’, me 20.000 vende dhe çmime biletash nga 340 në 12.500 dollarë, Crawford hyri i shoqëruar nga “Lose yourself” i Eminem. Në ring ai ‘pikturoi’ kryeveprën e një karriere me 40 fitore dhe 31 ‘ko’. Pritej një duel i ekuilibruar, por 35-vjeçari nga Omaha, Nebraska, i mbiquajtur “Bud”, 1.73 m për 66.82 kilogramë, nuk i dha asnjë shans kundërshtarit.

Ai fitoi çdo raund praktikisht. E hodhi kundërshtarin në tapet fillimisht në raundin e 2-të, dy herë në raundin e 7-të dhe e mbylli në të 9-in, kur arbitri Harvey Dock sinjalizoi fundin dhe triumfin e Crawford. Spence, 1.77 m për 66.59 kilogramë, ishte i gjakosur dhe i enjtur nga goditjet e rivalit. Ai është mundur pas 28 takimesh, 22 me k.o. Emri i betejës, “The truth”, këtë herë doli i kundërt, sepse ‘e vërteta’ ishte Crawford.

Kampioni e mundi rivalin, falë shpejtësisë dhe me zgjedhjen e kohës, duke gjetur shënjestrën në mënyra të ndryshme dhe me goditje të rënda. “Ishtë më i miri sot, nuk ka justifikime”, – pranoi me ndërshmëri Spence pas ndeshjes. “Besoj se kam treguar sërish forcën dhe madhështinë time, tregova kush jam”, – u shpreh Crawford.

Për të është ndeshja e 18-të si kampion në karrierë. Është kampion bote që prej 2014-ës. Kishte unifikuar për hërë të parë në 2017-ën titullin e peshave super të lehta, tani e ka bërë për herë të parë në peshat ‘welter’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë