Menaxhim

Ç’po ndodh te kompania që prodhon pasaportat e shqiptarëve dhe lejet e qëndrimit për të huajt?!

Brenda një viti, dy drejtuesit e lartë të kompanisë shtetërore, IdentiTek, shkarkohen, mes një frymë tensioni dhe tenderësh të dyshimtë

Gazeta Si – Ministria e Punëve të Brendshme ka shkarkuar nga detyra drejtoreshën e shoqërisë shtretërore IdentiTek, Freskida Halilaj.

Vendimi vjen pak më shumë se një vit pas emërimit të saj në krye të kompanisë që prodhon pasaportat biometrike të identitetit për shtetasit shqiptarë.

Halilaj u emërua në këtë post në 9 tetor 2024, nga ministri i atëhershëm i Brendshëm, Ervin Hoxha, pas shkarkimit të drejtoreshës së mëparshme, Loina Prifti, e cila ishte vënë në qendër të kritikave kur i vendosi vetes një pagë mujore 15 mijë euro, si dhe keqmenaxhim të stafeve dhe proceseve.

Deri në këto momente, Ministria e Brendshme nuk ka bërë publik një motivim zyrtar për shkarkimin e Halilajt, por burime mediatike dhe raportive investigative, kanë pasur denoncime më herët për shkelje administrative, abuzime në tenderë dhe presione ndaj stafit.

Dyshime për tenderë dhe presione ndaj punonjësve

Sips raportimeve në media, gjatë drejtimit të Freskida Halilajt, në IdentiTek janë evidentuar problematika serioze, veçanërisht në lidhje me zgjatjen e një kontrate, IT biometrike me kompaninë “AFIS and Biometrics Consulting Inc”.

Burime pranë institucionit, të referuara nga mediat, pretendonin se kontrata ishte përmbushur, ndërkohë që mungonin raporte teknike dhe prova që justifikonin vijimin e saj.

Auditimi i brendshëm i Ministrisë së Brendshme, dyshohet se ka gjetur shkelje të procedurave përfshirë mungesë dokumentacioni, specifikime teknike dhe argumentim në përzgjedhjen e fituesit, duke krijuar një favorizim financiar të dyshuar për rreth 684 mijë euro.

Po ashtu, Halilaj është akuzuar se ka ushtruar presion mbi punonjësit për të firmosur kontrata, duke paralajmëruar largime nga puna për ata që refuzonin, ndërsa disa profesionistë janë larguar ose shkarkuar pas kundërshtimeve të brendshme.

Emërime të kontentuara dhe klimë tensioni

Raportimet flasin edhe për emërime të personave të afërt dhe jo profesionistë në pozicione kyçe, përfshirë Drejtorinë e Burimeve Njerëzore dhe role këshillimore, çka ka krijuar një klimë tensioni dhe konflikti brenda institucionit.

Këto zhvillime kanë shtuar kritikat te IdentiTek, se një prej shoqërive më sensitive për sigurinë dhe interesin publik, është kthyer në një strukturë të politizuar dhe të ekspozuar ndaj abuzimeve, edhe pas kalimit në administrim shtetëror.

Kush e zëvendëson Halilajn

Pas shkarkimit të Freskida Halilajt, Ministria e Brendshme ka emëruar në krye të IdentiTek, Silda Çepe Anagnosti, ish/zëvendës-ministre e Punëve të Jashtme, ndërsa pritet të shihet nëse do të ketë hetime administrative apo penale për akuzat e ngritura.

IdentiTek është shoqëri me kapital 100% shtetëror, aktive që prej gushtit 2023, pas përfundimit të kontratës koncesionare me kompaninë “Aleat”.

Ajo ka për detyrë prodhimin e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike për shtetasit shqiptarë; pasaportave diplomatike dhe të shërbimit; dokumenteeve të udhëtimit, leje të qëndrimit dhe letërnjoftimeve elektronike për shtetas të huaj, refugjatë dhe azilkërkues.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë