Kosova

“Covid shkatërroi ekonominë e Kosovës, rimëkëmbja kërkon të paktën dy vjet”

Agim Shahini, Kryetar i Aleancës së Bizneseve në Kosovë, është shprehur se bizneset në vend po vuajnë shumë goditjen që iu bë nga pandemia COVID-19.

Shahini në një intervistë për një medie të Kosovës tha se përpos pandemisë, vendi po kalon dhe nëpër një krizë të madhe politike.

Agim Shahini

“Vlerësimet nga hulumtimet e bëra nga Aleanca e Bizneseve të Kosovës gjatë vitit 2020 janë që Kosova gjatë këtij viti kaloi nëpër një sfidë të madhe të COVID-19, të krizës ekonomike dhe politike. Kriza e koronavirusit është në proces ndërsa nga kriza politike u dëmtuan qytetarët pasi për një vit u ndryshuan tri qeveri, tre kryeministra dhe kjo për demokracinë e Kosovës ishte diçka e re dhe do të mbahet mend si diçka që nuk do të duhej të përsëritej prapë”, tha Shahini.

Sipas tij, COVID-i ka shkatërruar ekonominë, supozohet se Kosova humbi një qarkullim të brendshëm mbi 1 miliard e 500 mijë euro. Po ashtu, gjatë vitit të kaluar, tha Shahini, Kosova humbi mbi 50 për qind të investimeve të huaja dhe humbi edhe remitencat.

“Gjatë vitit të kaluar Gjykata Speciale arrestoi krerët e shtetit që shkaktoi turbulencë të madhe dhe shkaktoi imazh të keq për Kosovën dhe kjo është edhe frikësim që në Kosovë ndonjë korporatë e fuqishme të vijë dhe të investojë”- u shpreh Kry.etar i Aleancës së Bizneseve në Kosovë

Shahini mes tjerash foli edhe për menaxhimin me pandeminë duke theksuar se Kosova më shumë ka vuajtuar nga mungesa e ligjeve sesa nga pandemia.

“Kosova më shumë ka vuajtur nga mungesa e ligjeve se sa nga pandemia për tejkalimin e krizës ekonomike. Kosova është përfituesi më i vogël i fondeve të ndryshme ndërkombëtare në mungesë të ligjeve. Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike u dashtë që të shkojë 10 herë në Kuvendin e Kosovës për miratim sepse ishte hera e parë që bizneset dhe sektori privat kishte nevojë për mbështetje nga shteti. Të zgjedhurit e popullit hezituan të ngrinin dorën për rimëkëmbje. Ne ende nuk kemi ndonjë përgjigje së paku publike nga deputetët dhe Kuvendi se pse ligji që do duhej të miratohej në shtator u miratua në fundvit”.- u shpreh ai.

Për Shahinin, bizneset dhe qytetarët janë përfituesit më të vegjël karshi vendeve të ndryshme të Bashkimit Europian dhe Ballkanit nga fondet shtetërore apo fonde tjera ndërkombëtare pikërisht në mungesë të ligjeve – “askush nuk jep mjete financiare nëse ato nuk mbulohen me ligj”.

Mes tjerash Shahini tha se nëse COVID-19 vazhdon me këtë ritëm, atëherë ekonomisë do i duhen më së paku dy vjet që të ringjallet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë