Erla është vetëm 5 vjeç, mosha kur festat e fundvitit janë më të bukura se kurrë, më të magjishme se kurrë por ajo magjinë e ndërrimit të vitit nuk e shijoj, ashtu siç nuk shijoi as Krishtlindjen, lumturi që ia mohoi Covid-19.
“As Vitin e Ri nuk do e festojmë dot të gjithë bashkë?”, pyeti Erla mamanë e saj e cila siç tregon për Gazetasi.al, kanë qenë festat më të trishtuara për vajzën.
“Nuk pranon të flasë me shoqet e saj, as ta urojë njeri për festa. Sipas saj, fakti se është me Covid e bën të pamundur festën, gëzimin, ardhjen e Babagjyshit…”, thotë e ëma e Erlës.
Vëllai i saj, vetëm 7 vjeç u infektua me Covid-19 më 8 dhjetor dhe kështu u izoluan në shtëpi të tre, Erla, i vëllai dhe mamaja e tyre ndërkohë që i ati u detyrua të shkonte të jetonte tek prindërit e tij nga frika e një infektimi të mundshëm.
Më datë 12 dhjetor, Erla rezultoi pozitive me Covid dhe kështu karantinimi i tyre u shty deri më datë 27 dhjetor ku Erla përsëri rezultoi pozitive dhe të paktën deri më datë 4 Janar të 2022 janë të detyruar të vazhdojnë të qëndrojnë mbyllur në shtëpi.
Mbrëmë( 31 dhjetor) Erla nuk festoj, nuk dëshiroi të shohë fishekzjarret madje dhe pikturat e saj folën trishtim.
“Më tregoi çfarë kishte pikturuar dhe kur e pyeta se pse mali është ashtu, më tha se është i trishtuar prej saj”.

Nata e Krishtlindjes i ka lënë nje shije të keqe Erlës duke qenë se nuk ishte një ditë feste, nuk hëngrën darkë të katër bashkë. Me 31 dhjetor Erla pyeti mamanë e saj nëse të paktën do kenë një tavolinë të zbukuruar.
Pavarësisht se shume njerëz janë munduar t’i bëjnë dhurata, Erla nuk ishte e lumtur natën e ndërrimit të viteve. Edhe me zbukurimin e tavolinës, dhuratave poshtë pemës, urimeve që nuk donte t’i dëgjonte, Erla kishte në mend vetëm Covid hajdutin siç ajo i thotë pandemisë që në mendjen e saj, “ka vendosur të më ndëshkojë për ndonjë gabim që kam bërë gjatë vitit”.
Për fillimin e vitit të ri, Erla ka vetëm një dëshirë: Të paktën të përqafojë prindërit.
Ajo ka 1 muaj që nuk përqafon prindërit të cilët kanë frikën e infektimit dhe kur vëllai i saj u negativizua, ajo e kuptoi se prindërit e saj mund ta përqafonin të vëllain e atë jo. Kjo, me pafajësinë e një fëmije, e bëri xheloze.
“Tani që ai nuk ka Covid, atë mund ta përqafosh e mua jo”, thotë 5-vjeçarja që kur e pyet “Si je?”, të thotë “Mirë” sepse është një fëmijë i fortë që, edhe pse këtë ndërrim vitesh do e mbajë mend gjatë, veten e saj e vizaton duke qeshur edhe kur rreth saj çdo gjë i duket e trishtuar në ditë të gëzuar për gjithë botën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



