Taksat dhe tarifat vendore zënë peshën kryesore tek detyrimet e biznesit të vogël dhe kjo ka qenë edhe arsyeja se përse që në 15 mars, pak ditë pasi u vendosën masat kufizuese të lëvizjes dhe mbylljes së mijëra qepenave, përfaqësues të kësaj kategorie sipërmarrjeje i kërkonin qeverisë dhe bashkive që të ndërhynin për të falur këto taksa, të paktën për periudhën e pandemisë.
Megjithatë, nga 61 bashkitë e vendit vetëm 17 prej tyre kanë ndërmarrë ndryshime në paketat fiskale duke hequr, rishikuar ose shtyrë tarifat dhe taksat vendore. Nga vëzhgimi në 12 prej këtyre bashkive përmes projektit “Bashkitë e Forta”, financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, efekti financiar shkon në rreth 260 milionë lek.
77 për qind e këtyre ndryshimeve janë nga heqja e tarifave dhe vetëm 23 për qind nga ndërhyrja tek taksat. Megjithatë, në projektin në fjalë është vënë re se mungojnë hollësi të metodikës së zbatuar në parashikimin e këtyre efekteve financiare.
Ndërkohë, një vëzhgim i Qëndresës Qytetare në kuadër të projektit “QytetarIN”, financuar po nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, zbardh gjithë veprimtarinë e Këshillit Bashkiak dhe të Bashkisë së Tiranës për periudhën gjatë pandemisë.
Nga ky vëzhgim arrihet në përfundimin se Bashkia e Tiranës është përqëndruar kryesisht tek pastrimi i qytetit dhe dezinfektimi, me një kosto totale rreth 800 mijë euro, ndërsa për shtresat në nevojë e vetmja ndihmë kanë qenë pakot ushqimore të çerdheve dhe kopshteve publike.
“Pakot ushqimore të cilat janë ndarë për familjet në nevojë nga buxheti i Bashkisë së Tiranës kanë qenë ato të mbetura pa u përdorur në kopshtet dhe çerdhet publike pas mbylljes së tyre për shkak të pandemisë botëroe. Nëpërmjet vendimit të muajit mars, Këshilli Bashkiak Tiranë ka vendosur shpërndarjen e ushqimeve të mbetura në kopshte për familjet në nevojë dhe ndërprerjen e kontratave me furnizotrët nga ana e kopshteve. Në vendimin e Këshillit Bashkiak, nuk saktësohet sasia e ushqimeve dhe as procedura në rastin e zgjatjes së pandemisë botërore, siç edhe ndodhi”, thuhet në raportin vëzhgues të “QytetarIN”.
Sa u takon masave lehtësuese për biznesin, në këtë raport vëzhgimi përmendet përjashtimi nga tarifa e zënies së hapësirës publike për marsin dhe prillin dhe shtyrjet e afateve për taksat dhe tarifat vendore nga muaji prill për në fund të muajit qershor.
Përmendet gjithashtu edhe vendimi i Këshillit për të përgjysmuar rrogën e kryetarit të Bashkisë dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të këtij institucioni si dhe mbulimi i kostove të varrimit për personat që humbin jetën nga Covid-19.
Bashkitë rritën taksat
Kriza e shkaktuar nga pandemia detyroi bashkitë që të rishikojnë paketat e tyre fiskale të miratuara në fund të vitit të kaluar dhe fillim të këtij viti. Megjithatë, ato që u prekën ishin taksa, tarifa dhe detyrime të tjera të biznesit të vogël me pak peshë në buxhetet e tyre.
Pra, ajo që ka ndodhur është se për shumë taksa e tarifa vendore, që në një pjesë të mirë të bashkive të vendit janë rishikuar me rritje në paketat fiskale të miratuara për 2020 është thjesht shtyrja në kohë e pagesës së tyre, jo falja.
Si shembull, Bashkia e Tiranës ka hequr për muajt mars-prill tarifën e shfrytëzimit të hapësirës publike dhe ka shtyrë në kohë disa taksa dhe tarifa të tjera, si ajo e pastrimit, që për biznesin e vogël është rritur me 65 për qind, duke shkuar nga 3500 lek/viti në 5750 lek/viti.
Bashkia e kryeqytetit nuk është e vetmja. Lezha, Vlora, Korça dhe Fieri janë disa nga bashkitë e tjera ku janë rritur taksat e tarifat. Rritja varion nga shuma simbolike dhe të papërfillshme në faturë, siç është rritja e tarifës së pastrimit me 150 lek në vit më shumë familjarët në njësitë administrative rurale të Tiranës, e deri tek rritja me 13 herë e tarifës së shfrytëzimit të hapësirës publike në bulevardin e Skelës dhe pedonales tek sheshi “Pavarësia” në Vlorë, ku sipas “Porta Vendore” nga 30 lek metri/katror në muaj ëshë bërë 400 lek.
Me rritje nga ana e Bashkisë së Vlorës janë parë edhe taksat e tarifat e tjera, si ndriçimi, pastrimi, gjelbërimi si për familjarë, ashtu edhe për biznese. Rritjen më të fortë e ka pësuar taksa e pastrimit për familjarët, ku nga 12 mijë lek është bërë 24 mijë lek.
E njëjta situatë ka ndodhur edhe në Bashkinë e Fierit, ku veç tarifës së pastrimit, gjelbërimit dhe ndriçimit, që është rritur me 33 për qind, rritja kanë pësuar edhe taksat për tokën bujqësore.
Në Lezhë tarifa për shërbime për familjarët ka pësuar ulje, por sipas “Porta Vendore” është dyfishuar tarifa e parkimit për autobusët e linjave brenda territorit të bashkisë dhe është rritur me 50 mijë lek në vit për autobusët e linjave ndërqytetëse. Rritje të parkime
Korça ka shtuar tarifën e parkimit për banorët rezidentë, që është caktuar 100 lek në muaj. Rritje kanë pësuar edhe tarifat që paguhen për kopshtet dhe çerdhet e qytetit, ku sipas sipas paketës së re fiskale kosto ditore për prindërit bëhet 125 lekë/ditë, nga 91 lekë në ditë që ishte një vit më parë. Thënë ndryshe prindërit do ta paguajnë rreth 27% më shtrenjtë dërgimin e fëmijëve në kopshte apo çerdhe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




