Treg

Covid-19 thekson pabarazi pagash mes profesioneve në Shqipëri

Nëse menduat që pagat do të uleshin nga kriza e Covid-19, keni gabuar në perceptimin tuaj, përsa i përket profesioneve të mirëpaguara.

Studimet ndërkombëtare tregojnë se në kohë krizash, të pasurit bëhen akoma edhe më të pasur, e të varfrit ende më të varfër.

Gati të njëjtën impakt ka patur edhe kjo pandemi në pagat shqiptare në mesin e listës së profesioneve.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë tremujorit të dytë 2020, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit, është 2,18 herë më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grup-aktivitetin e Bujqësi, pyje dhe peshkim është 37,5 % më e ulët.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të dytë 2020, paga mesatare bruto për grup-aktivitetin e Industrisë, ka rritjen më të madhe prej 4,4 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, ndërsa Bujqësia, pyjet dhe peshkimi ka një ulje prej 13,9 %.

Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të dytë 2020, është 54.149 lekë, duke u rritur me 2,9 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Gjatë tremujorit të dytë 2020, paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar në grup-profesionin e ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë, është 77,3 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupin e Punëtorëve (Profesione elementare) është 41,1 % më e ulët.

Paga për grup-profesionin e Punonjësve të shitjeve dhe të shërbimeve ka rritjen më të madhe prej 4,9 % gjatë tremujorit të dytë 2020, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, ndërsa për grup-profesionin e të punësuarve si Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë ka një ulje, prej 4,1 %.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë