Shendet

Covid 19 në shkolla, si një mësuese e pavaksinuar infektoi gjysmën e klasës në SHBA!

Ndërsa në botë po diskutohet “green pass” i detyrueshëm për mësuesit pas hapjes së shkollave, një studim amerikan ndihmon për të kuptuar se cilat mund të jenë rreziqet e një të rrituri pozitiv në një klasë.

Puna është e rëndësishme, sepse mësuesja në fjalë ishte e infektuar me variantin Delta, ndërsa shumë nga studimet e mëparshme mbi transmetimin e virusit në klasë, janë bërë në variante më pak ngjitëse.

Vatra

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, disa rrethe shkollore, si Nju Jorku, tashmë kanë imponuar kërkesën për vaksinë ndaj mësuesve dhe stafit, rrethe të tjera mund të ndjekin të njëjtën linjë. Sidomos pasi ditët e fundit, Administrata e Ushqimit dhe Barnave, ka miratuar përfundimisht vaksinën Pfizer / BioNTech (nga 16 vjeç e lart, por tashmë është autorizuar në rast urgjence edhe nga 12 deri në 15 vjeç).

Studimi nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), një organizatë amerikane e shëndetit publik, ka të bëjë me një episod që ndodhi në maj në një shkollë fillore në Marin County, Kalifornia.

Mësuesja, jo e vaksinuar dhe pozitive me variantin Delta, infektoi gjysmën e nxënësve në klasën e saj dhe, indirekt, disa nga familjet e tyre. Në total, shpërthimi preku 26 persona.

Pa maskë

Mësuesja e Qarkut Marin, tregoi simptomat e para më 19 maj, por punoi edhe dy ditë para se t’i nënshtrohej testit për Covid.

Mësuesja shpjegonte me zë, pa maskë, në një klasë prej 24 nxënësish, pavarësisht faktit se mbrojtja individuale është e detyrueshme në SHBA, si për mësuesit, ashtu edhe për studentët.

Nxënësit ishin të gjithë nën 12 vjeç, pra, shumë të rinj për t’u vaksinuar. Më 23 maj, mësuesja raportoi se ishte pozitive me infeksionin e koronavirusit.

Në ditët në vijim 12 nxënësit rezultuan pozitivë: të gjithë ata që ishin në rreshtin e parë, 3 nga 5 në rreshtin e dytë dhe 4 nga 14 në tre rreshtat e fundit.

Përveç kësaj, gjashtë nxënës nga një klasë tjetër dhe të paktën tetë prindër dhe vëllezër e motra të fëmijëve të infektuar, u prekën nga Covid 19: tre nga të afërmit e infektuar, ishin vaksinuar me të dyja dozat.

Varianti Delta

Studiuesit e CDC, sekuencuan mostrat e virusit nga disa prej atyre pozitive dhe zbuluan se të gjithë ishin infektuar me variantin Delta.

Për më tepër, mostrat e 10 nxënësve të dy klasave, ishin gjenetikisht të padallueshme, kështu që ata padyshim erdhën nga shpërthimi i njëjtë.

Infeksionet ishin për shkak të dy faktorëve, thonë studiuesit e CDC: niveli i lartë i infektivitetit të Delta-s dhe fakti që mësuesja as nuk ishte vaksinuar dhe as mbante maskë.

Është për t’u theksuar, se Qarku Marin ka shkallën më të lartë të vaksinimit në Kaliforni (72 përqind) – kjo mund të shpjegojë pse shpërthimi mbeti i kufizuar në 26 persona. Ndoshta pa mbulim të lartë të vaksinimit, infeksioni do të ishte përhapur shumë më tepër.

Vaksinimi në masë

Normat e vaksinimit janë në rritje në SHBA, por varianti Delta vazhdon të nxisë një rritje të rasteve, shtrimeve në spital dhe vdekjeve.

Në mënyrë që shkolla të rihapet në mënyrë të sigurt, e gjithë popullata kandidate, e moshës 12 vjeç e lart, duhet të vaksinohet. Edhe komuniteti shkencor pajtohet në këtë pikë.

“Gjëja më e rëndësishme që mund të bëjmë për të mbrojtur fëmijët, veçanërisht ata shumë të vegjël për t’u vaksinuar, është që të sigurohemi që të rriturit me të cilët kanë kontakte, përfshirë mësuesit dhe stafin e shkollës, e kanë bërë një gjë të tillë”, – tha Jennifer Nuzzo, një epidemiologe në “Johns Hopkins University”.

Provat klinike të vaksinave për moshat nën 12 vjeç, janë duke u zhvilluar: Pfizer ka njoftuar se rezultatet e para mund të arrijnë në shtator. Një armë e mundshme shtesë për të garantuar ndjekjen e shkollës në muajt e ardhshëm.

Burimi: “Business Insider”; Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë