Teksa tragjedia italiane thellohet çdo ditë e më shumë, për shkak se numri i viktimave nga COVID-19 rritet dhe dje shënoi ditën me më shumë viktima, 627, presidenti Ilir Meta i dërgon një mesazh ngushëllimi Italisë.
Nëpërmjet një mesazhi në “Facebook”, kreu i shtetit thekson se në këto momente tepër të vështira, lutjet dhe mendimet e shqiptarëve shkojnë për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre, të cilave iu shpreh të gjithë solidaritetin e popullit shqiptar. Po ashtu ka publikuar edhe një video të disa avionëve që formojnë ngjyrat e flamurit të Italisë mbi det.
“Dita e djeshme shënoi një tjetër bilanc tragjik për Italinë tonë të dashur.
Në këto momente tepër të vështira, lutjet dhe mendimet tona shkojnë për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre, të cilave ju shpreh të gjithë solidaritetin e popullit shqiptar.
Me urimin për shërim të shpejtë për të gjithë të prekurit nga kjo pandemi, dhe shëndet të plotë për mbarë popullin italian, i cili me kulturën dhe civilizimin e tij i ka frymëzuar të gjithë kombet për progres shoqëror, shpreh bindjen se nën drejtimin e udhëheqësve të saj, Italia do ta kalojë këtë krizë të rëndë për të, por edhe për ne, dhe Europën!”, shkruan Meta në “Facebook”.
Ndër të tjera, Meta shpreh mirënjohje “për të gjithë mjekët dhe personelin shqiptar të integruar në sistemin shëndetësor italian, të cilët me profesionalizëm, përkushtim dhe sakrifica të pashembullta po bëjnë çdo gjë për të ndihmuar qytetarët e këtij vendi kaq të rëndësishëm për kombin shqiptar.
Ne u jemi thellësisht falenderues, pasi angazhimi i tyre fisnik dhe njerëzor bëhet, jo vetëm në emër të humanizmit, por edhe të mirënjohjes së mbarë popullit shqiptar, i cili sa herë ka përjetuar tragjedi dhe kriza të mëdha, ndihmën dhe mbështetjen e parë e ka gjetur te Italia dhe populli i saj bujar dhe i mrekullueshëm.
Kam besimin e palëkundur se Italia jonë e dashur do ta kalojë me kurajo e vendosmëri këtë krizë të rëndë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




