Koronavirusi i merr jetën një tjetër mjeku. Epidemiologu, Vilson Topulli nuk mundi që të triumfonte në betejën me COVID-19, dhe pse gjatë karrierës së tij është dashur që të përballej dhe shumë viruse të rrezikshme.
Prej datës 11 gusht ai ishte i shtruar në spitalin Infektiv në Tiranë. Topulli vuante nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese, diabet dhe hipertension. Lajmin për ndarjen e tij e dha Silva Bino, Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, e cila në një shkrim të gjatë, ka përshkruar se si e ka njohur Topullin dhe e cilëson epidemiologun si historinë dhe kujtesën e ISHP-së.
“Kjo pandemi na mori sot kolegun tonë të palodhur Vilin, Vilson Topullin. Me Vilin jam njohur gjatë epidemisë së Kolerës në vitin 1994. Më pas punova përreth 16 vite me të. Vili ishte personi që njihte çdo skutë në Shqipëri e njihte vendin dhe këdo që punonte në shëndet publik. Një njeri i palodhur. Ishte historia dhe kujtesa e ISHP ku kishte fillluar punen qysh 19 vjec. Njeriu qe kishte punuar per kontrollin e Antraksit e njihte cdo gje rreth tij, që kishte punuar me çdo epidemi dhe kotnroll të saj në ISHP”, shkruan Bino.
Ndër të tjera, Bino shkruan “Të na falësh Vili që nuk të mbrojtëm e nuk të shpëtuam dot. Të qoftë i lehtë dheu kolegu jonë i mirë”.
Nga Covid-19 i pari mjek që humbi jetën ishte hematologu dhe profesori i Fakultetit të Mjekësisë, Arjan Pushi. Një tjetër mjek që humbi jetën nga koronavirusi ishte Hysni Shkjau i cili ishte 69 vjeç dhe vijonte të shërbente si mjek familje në një qendër shëndetësore në Bashkinë Fushë-Arrëz të Pukës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




