COVID-19 mbyll Teatrin Kombëtar. Dy prej aktorëve protagonistë në produksionin e fundit të Teatrit, “Coriolanus” kanë rezultuar me pozitivë me Covid-19, teksa të tjerë janë të dyshuar.
Lajmi u bë me dije nga Teatri Kombëtar, i cili njofton se pezullohen të gjitha aktivitetet deri në një njoftim të dytë duke parë dhe rritjen shqetësuese të infektimeve ditëve të fundit.
“Duke marrë në konsideratë rastet e konfirmuara të dy prej aktorëve protagonistë në produksionin ‘Coriolanus’, rritjen shqetësuese të infektimeve kohët e fundit, numrin e madh të aktorëve të angazhuar në këtë produksion, si dhe dyshimet për raste të tjera në stafin e Teatrit Kombëtar, jemi të detyruar të pezullojmë të gjitha aktivitetet tona deri në një njoftim të dytë”, thuhet në njoftimin e Teatrit Kombëtar.
Po kështu, në njoftimin sqarues, Teatri thotë se të gjithë punonjësit që, për shkak të funksionit të tyre, kanë kontakt me publikun do t’i nënshtrohen testimit.
Ndërkohë, biletaria do të qëndrojë e mbyllur deri ditën e hënë, datë 17 Janar 2022.
Ndër të tjera, Teatri njofton se ata që posedojnë bileta për shfaqjet e datave 13-14-15 dhe/ose 16 janar mund të rimbursohen, ose bileta e tyre do të jetë e vlefshme për shfaqjen “Coriolanus” në momentin e parë që do të rikthehet në skenë.
Edhe më herët, Teatri Kombëtar ka pasur anulime të shfaqjeve, për arsye shëndetësore të aktorëve.
Anulime të tilla të shfaqjeve do të shkaktonin edhe pakënaqësi të artdashësve, që kërkonin edhe plane B nga institucioni teatror.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



